×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria e Serbisë merr vendim “për mbrojtjen e pronave kulturore dhe krijimin e qendrave shëndetësore në Veri të Kosovës”

    Reporteri
    21 Shtator 2021 | 18:48

    Qeveria e Serbisë është mbledhur sot, për të marrë vendim për formimin e një komiteti kombëtar që, sipas vendimit, do të merret me mbrojtjen e pronave kulturore në raste konflikti të armatosur. Kështu, Serbia i referohet mundësisë së luftës në Kosovë dhe objekteve, që ajo i quan “trashëgimi kulturore serbe”


    Në seancën e sotme, anëtarët e qeverisë serbe po ashtu morën vendim për krijimin e qendrave shëndetësore në Zubin Potok dhe Zveçan, raportojnë mediat serbe.

    Vendimi për formimin e atij komiteti, është paraparë të zgjas për një periudhë pesëvjeçare.

    Me ftesë të presidentit të Serbisë, sipas vendimit, përfaqësuesit e ministrive kompetente, si dhe ekspertë të shquar në fushën e sigurisë, mund të marrin pjesë në punën e këtij komiteti.

    “Detyra e Komitetit është të japë propozime, opinione dhe shpjegime ekspertësh në lidhje me masat që duhen marrë në mënyrë që Konventa të zbatohet plotësisht. Komiteti gjithashtu promovon qëllimin dhe rëndësinë e Konventës, konsideron dhe propozon bashkëpunim me institucionet përkatëse të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe grupet punuese kombëtare të profilit të njëjtë ose të ngjashëm me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e praktikave të mira”, thuhet në vendim.

    Këto zhvillime kanë ardhur pas një vendimi që Qeveria e Kosovës e mori dje për të vendosur një masë reciprociteti sa i përket targave të automjeteve. Nga dje, Kosova nuk lejon që në vend të futen automjete me targa të Serbisë.

    Për kalim nëpër pikat kufitare nevojiten targat e përkohshme, ndërsa zbatimi i këtij vendimi po përcillet nga forcat e njësisë ROSU të Policisë së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!