×
  • Lajme
  • Lajme / Statusi i Kishës Ortodokse

    Qeveria i reagon BE-së: Projektligjin për Liritë Fetare po e bllokojnë dhjetë ulëset e komunitetit serb në Kuvend

    Reporteri
    07 Janar 2025 | 16:43

    Sot gjatë ditës, në një konferencë për media, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hipper, e pyetur për “statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”, tha se ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve këtu, dhe ftoi deputetët që ta mbështesin miratimin e tij në Kuvend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Lidhur me këtë, ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, përmes një postimi të bërë në platformën “X”, ku ka thënë se një gjë e tillë po bllokohet nga deputetët e Listës Serbe në Kuvend.

    “Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë se ai mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në “X”.

    Pika 7 e planit të BE-së konsiderohet më problematikja për Kosovën. Përveç një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në këtë pikë flitet edhe për zyrtarizmin e një statusi të ri të Kishës Ortodokse Serbe.

    Në Nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit [27 shkurt 2023], Kurti ka rënë dakord për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

    Në pjesën e parë të këtij neni thuhet se “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

    Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, thuhet se “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!