Qeveria në detyrë ka mbajtur sot një mbledhje, ku ka marrë disa vendime.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje në vlerë 10 milionë euro për N. P. “Telekomi i Kosovës Sh. A.”, shkruan Reporteri.net.
Është emëruar edhe Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren me këtë përbërje: Ylber Elshani, Agim Muçaj, Selvete Xhigoli dhe Sulejman Gashi.
Më poshtë të gjitha vendimet:
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në të cilën ka:
– Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren me këtë përbërje:
o Ylber Elshani, kryesues;
o Agim Muçaj, anëtar;
o Selvete Xhigoli, anëtare;
o Sulejman Gashi, anëtar.
– Aprovuar në parim kërkesën për huamarrje në vlerë 10 milionë euro për N. P. “Telekomi i Kosovës Sh. A.”.
– Rialokuar 147 mijë euro për dy projekte kapitale: (1) “Parku i Aventurave” në Komunën e Kamenicës; dhe (2) “Ndërtimi i rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër”, në Komunën e Novobërdës.
– Miratuar Planin e Veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës-2022-2026. Ky plan synon jo vetëm zbatimin e obligimeve tona politike dhe institucionale, por edhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë, ku komunitetet rom dhe ashkali nuk trajtohen si kategori të veçanta, por si qytetarë me të drejta të plota dhe të garantuara.
– Themeluar Grupin koordinues për Mishngrënësit e Mëdhenj: Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik dhe Ujkun
– Themeluar Grupin Intervenues për Mishngrënësit e Mëdhenj: Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik si dhe Ujkun.
– Aprovuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në ndërmarrjet shoqërore: 651 mijë euro në “NBI Suhareka” dhe 72 mijë euro në “KB Malisheva”.
– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës në Komunën e Prizrenit dhe Malishevës.
– Aprovuar kërkesën për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit dhe ndryshimin e shfrytëzuesit në ngastrat që ndodhen në Komunën e Junikut, në përputhje me mënyrën e shfrytëzimit, kohëzgjatjen dhe kompensimin e pyjeve dhe tokës pyjore. Bartja e së drejtës së shfrytëzimit, bëhet me qëllim të ndërtimit të Monumentit të Dëshmorëve të rënë me 17 Korrik 98 të vendi “Rrasa e Zogut”, Bjeshkët e Junikut. Investimi do të bëhet përmes Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale me procedurë të hapur konkurruese, bazuar në kritere objektive, transparente dhe jo-diskriminuese.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje ka për synim krijimin e një baze të qëndrueshme ligjore për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke inkurajuar investimet e ndërsjella dhe duke siguruar një klimë të qëndrueshme, transparente dhe të mbrojtur për investitorët.
– Aprovuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme të ndërmarrjes Shoqërore “Kooperativa Bujqësore” Ropotovë e Madhe, Z. K. Dobërçan, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe Fusha Sportive në Dobërçan, Zona Kadastrale: Dobërçan, Komuna e Gjilanit.
– Aprovuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore N Sh “Industria e Tekstilit Integj” parcela kadastrale Nr. 4945-7 dhe Objekti që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, shpronësimi i të cilave është i nevojshëm për realizimin e projektit: “Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë rrugore” në Komunën e Gjilanit.
– Aprovuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N2 Segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.