Kabineti i Albin Kurtit e ka ngritur dorën sot për të votuar programin qeverisës që përfshin 45 pika, e ku gjen vend edhe dialogu me Serbinë.
Mirëpo, ndonëse u konsiderua si prioritet nga vetë kryeministri Kurti edhe nga zëvendësi Avdullah Hoti, dialogu nuk është radhitur si i tillë në program, shkruan Reporteri.net.
Qeveria ka injoruar në një formë dialogun duke e vendosur si pikë të fundit në program, e madje edhe si nënpikë gati të fundit.
Dialogu me Serbinë futet në pikën e 12-të, e cila titullohet “Politika e Jashtme, Integrimi dhe mërgata”. Aty, madje, Qeveria ka saktësuar çfarë do të bëjë me shërbimin diplomatic, me integrimin e të tjera, dhe tek në fund çfarë do të bëjë me temën më të nxehtë, atë të dialogut.
Ndërkaq, Qeveria është kujdesur që, pas injorimit të dialogut në përgjithësi, të tregojë një dozë injorimi edhe ndaj rolit amerikan në këtë proces, ani pse frenat e tij tani vërejtshëm janë në duart e të dërguarit special Richard Grenell.
Në pikën 12.3.2 e titulluar “Dialogu me Serbinë”, Qeveria thotë se do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe “në frymën e parimit të reciprocitetit”.
Kështu, Qeveria ka vazhduar ta kundërshtojë kërkesën amerikane për heqjen e taksës dhe mosvendosjen e reciprocitetit, pasi vendosja e kësaj të dytës përmendet edhe në një prej parimeve me të cilat Qeveria mëton ta menaxhojë dialogun.
“Zëvendësimi i tarifave doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina me masa të reciprocitetit të plotë”, thuhet në një prej parimeve.
Sidoqoftë, Grenell nuk po mendon si Kurti, pasi edhe dje tha decidivisht se Kurtit i është kërkuar heqja e plotë e taksës dhe rinisja e dialogut pa vendosur reciprocitet./Reporteri.net