×
  • Lajme
  • Lajme / Siguria

    Qeveria Kurti i ka dërguar zotim Komandantit të KFOR-it se nuk e çon FSK-në në veri

    Reporteri
    08 Janar 2025 | 20:54

    Komandanti i KFOR-it, italiani Enrico Barduani, në dhjetorin e vitit 2024, ka thënë se ministri i Mbrojtjes së Qeverisë Kurti, Ejup Maqedonci, ka dhënë një rizotim të shkruar për KFOR-in për respektimin e marrëveshjes së vitit 2013 në mes të NATO-s dhe Republikës së Kosovës për dërgimin e ushtrisë së Kosovës në veri të vendit.

    “Ky zotim më është konfirmuar, së fundi me shkrim nga ministri Ejup Maqedonci”, ka deklaruar Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani më 12 dhjetor 2024 në intervistë për televizionin publik.

    Lidhur me këtë çështje kanë folur nga KFOR , duke mos dhënë detaje të hollësishme, por duke konfirmuar se ka një rizotim me shkrim të kohëve të fundit nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Në përgjigjen e  KFOR-it është thënë se në bazë të Marrëveshjes NATO-Kosovë të vitit 2013, çdo vendosje e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës kërkon autorizimin paraprak nga komandanti i KFOR-it.

    “Ne e mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe rizotimin me shkrim të kohëve të fundit, që pasqyron dialogun e rregullt të KFOR-it me përfaqësues të organizatave të sigurisë në Kosovës, përfshirë edhe zotin Maqedonci. Komunikimi transparent dhe koordinimi me kohë është çelës për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, është thënë në përgjigjen e KFOR për Nacionale.

    FSK-ja nuk mund të shkojë apo të vendoset në veri bazuar në një letër-shkëmbim të vitit 2013, në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në këtë letër-shkëmbim, Thaçi i ka garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in. Për këtë zotim kryeministri aktual Albin Kurti në shumë raste e ka kritikuar Thaçin dhe duke e quajtur si zanafilla e problemeve në veri.

    “Nuk e kuptoj pse e ka bërë Hashim Thaçi…ushtria jonë u nda gjeografikisht: këtu bën, këtu s’bën…kjo është më së keqi për ushtrinë”, ka thë Kurti në një intervistë së fundmi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!