×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria Kurti mban mbledhje në mesnatë, shkarkohet Bordi i Drejtorëve të KRU “Gjakova”

    Reporteri
    31 Maj 2020 | 1:11

    Në një mbledhje në mbrëmjen e së shtunës, Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur të shkarkojë Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”.


    Po ashtu është emëruar Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve:

    1. Robert Lekaj, kryesues dhe drejtor;
    2. Luan Matoshi, drejtor;
    3. Miranda Zherka, drejtore; dhe
    4. Urim Gashi, drejtor.

    Në mbledhjen e 37-të është miratuar edhe emërimi i Shpend Gjugjës, drejtor në Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc”.

    Qeveria po ashtu ka ndarë mjetet financiare për pagesën e pagave bruto dhe kontributit pensional për punonjësit e Lotarisë së Kosovës. Për këtë janë ndarë 151299.95 euro.

    “Pas shqyrtimit të kërkesës së Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e obligimeve ndaj pagave bruto si dhe kontributit pensional të punëdhënësit për punonjësit e Lotarisë së Kosovës Sh.A. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 151,299.95 euro për pagesën e obligimeve për periudhën që nga ndalimi i aktivitetit sipas Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit e deri me 30 prill 2020”, thuhet në njoftim.

    Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria ka vendosur të shtyjë afatin e paraparë për paraqitje të raportit nga Grupi i ekspertëve të pavarur për dizajnimin dhe përgatitjen e parimeve për reformën e Vetingut në sistemin e drejtësisë, deri më 10 korrik 2020.

    Është miratuar edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve dhe Bashkimit Evropian, përfaqësuar nga Komisioni Evropian, lidhur me marrëveshjen “Asistenca Makrofinanciare për Kosovën”. Kredia kap vlerën prej 100 milionë eurove dhe do të ketë afat të kthimit deri në 15 vjet, ka njoftuar Qeveria.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!