Vendimi i sotëm i Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, për rritjen e shtesave për nënat lehona ka ngjallur reagime në vend.
Ky vendim po cilësohet i jashtëligjshëm dhe jashtë kompetencave të Qeverisë në detyrë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, është shprehur se ky vendim është i jashtëligjshëm dhe se Qeveria në detyrë ka kompetencat e limituara që mundësojnë vetëm funksionet teknike brenda kornizës buxhetore të miratuar në Kuvend.
“Le të kuptohemi drejt se askush nuk është kundër që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët të mos bëhet. Por vendimi i sotëm është i jashtëligjshëm edhe në kuptimin e kompetencës e edhe si shumë buxhetore totale”, ka shkruar Eliza Hoxha në profilin e saj në Facebook.
Vendimi është kritikuar edhe nga Eugen Cakolli, monitorues i Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës.
akolli është shprehur se ndonëse mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët është e drejtë dhe e duhur, megjithatë, sipas tij, ky vendim nuk është në përputhje me ligjin.
Ngjashëm edhe ai vë theksin te kompetencat që ligji parasheh për një qeveri në detyrë.
Sipas tij, një qeverie në detyrë nuk i jepet e drejta të ndërmarrë veprime që ndryshojnë natyrën e përfitimeve publike apo krijojnë obligime të reja fiskale për qeverinë pasuese dhe se ky vendim nuk është i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente.
“Përmes këtij akti, Qeveria ka kaluar nga roli i administrimit të përkohshëm institucional në pozitë politikëbërëse – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike”- shkruan Cakolli.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se nga ky muaj do të rriten shtesat mujore për nënat lehona. Kurti ka thënë se shtesa prej 170 euro për lehonat e papunësuara, do të bëhet 325.9 euro. Ndërkaq për ato të punësuara, përveç pagesës për 70 për qind për 6 muaj nga punëdhënësi, lehonat do të përfitojnë mbështetje për tre muajt e tjerë për 319.5 euro në muaj
Këtë vendim Kurti e bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
“Qysh në fillim të mandat filluam skemën e shtesave për nënat e reja. Deri më tani rreth 70 mijë nëna lehona kanë përfituar. Me pagën minimale të re është koha që nga kjo të përfitojnë edhe nënat e reja. Do të miratojmë rritjen mujore të shtesave nga 170 euro në 325.9 euro, aq sa vlera neto e pagës minimale. Që nga ky muaj për të gjitha nënat lehona shtesa mujore do të rritet në 325.9 euro”, tha Kurti. /Reporteri.net/