×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeverisë s’i pritet, lëshon komunikatë për miratim të Buxhetit ende pa u miratuar

    Reporteri
    25 Nëntor 2021 | 15:18

    Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë për media para pak minutash, ku ka njoftuar për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2022 nga Kuvendi i Kosovës.

    Mirëpo, i njëjti ende nuk është miratuar, pasi Kuvendi në atë kohë ishte në pauzë, dhe seanca ka vazhduar me diskutime rreth projektbuxhetit pas orës 15:00.

    “Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës u miratua buxheti prej 2 miliardë e 748 milionë Euro për vitin 2022”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të Kryeministrisë.

    Ndërkaq, pas këtij njoftimi, erdhi edhe njoftimi i ri i Kryeministrisë, ku u tha se “Ju njoftojmë se komunikata e dërguar më parë me titull “Kuvendi miraton buxhetin e vitin 2022”, ka qenë një lëshim teknik, andaj ju lutemi që ta injoroni atë”.

    Në njoftimin e parë është dërguar edhe fjalimi i kryeministrit Albin Kurti, i cili, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit, tha se po e mbyllim vitin me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të hyrave prej 33%, që janë rezultat i qeverisjes së mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

    “Për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni”, u shpreh Kurti, “e që ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete”.

    “Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!