×
  • Lajme
  • Lajme / Reagime

    “Qeverisje me afera dhe skandale korruptive”, “Pushteti po heshtë për arrestimin e Hasan Krasniqit”, kritikat që opozita sot ia bëri Qeverisë Kurti

    Reporteri
    03 Mars 2024 | 22:14

    Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK kanë akuzuar Qeverinë Kurti për afera dhe skandale korruptive, ku e kanë përmendur arrestimin në Bullgari të Kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë rajonale të Ujësjellësit në Gjakovë Hasan Krasniqi për të cilin ekskluzivisht raportoi të premten Gazeta Online Reporteri.net.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media tha se Hasan Krasniqi është vetëm njëri nga vargu i gjatë i zyrtarëve të partisë në pushtet që është përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    “Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njejti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale”, ka thënë Deliu-Kodra, shkruan Reporteri.net.

    Më pas, deputetja Deliu-Kodra ka përmendur disa nga zyrtarët e Vetëvendosjes të cilët kanë zënë ballinat mediale me skandale dhe afera.

    “Besnik Mujeci: asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i arrestuar në Shqipëri me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nagip Krasniqi: Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, tani Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, i arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi. Nënshkrim i kontratave të dyshimta në vlerë prej miliona eurove. Faruk Mujka: Ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin, mediat kanë raportuar se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri Ridvan Muharremi: Mik dhe bashkëpunëtor i Vetëvendosjes, i cili është i përfshirë në skandalin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i është shkaktuar buxhetit të shtetit”, ka thënë Deliu-Kodra.

    Në fund të kësaj liste, deputetja Deliu-Kodra ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili, sipas saj, është kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve.

    “Ambasadori Berishaj, si e dini, është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar, në tregtimin e energjisë elektrike, i cili dyshohet se peshon miliona euro, ndërsa vet ambasadori Berisha dyshohet se ka përfituar 600 mijë euro nga filiali i kompanisë GEN-I, me seli në Beograd”, ka thënë ajo.

    Deputetja e PDK-së ka thënë se këto janë vetëm disa nga rastet, të cilat edhe sipas raportimeve të mediave, dëshmojnë për një qeverisje tri vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, përplot me afera dhe skandale korruptive, të cilat kanë dëmtuar tejet shumë buxhetin e shtetit të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

    “Në dritën e këtyre zhvillimeve dhe kësaj qeverisje, e cila ka qenë tejet dëshpëruese, e paaftë dhe, në esencë korruptive, natyrisht edhe raportet ndërkombëtare për vendin tonë nuk kanë se si të jenë as të mira dhe as pozitive. Raporti i fundit i 29 shkurtit nga Freedom House, ka vlerësuar se Kosova është vend “pjesërisht i lirë”. Sipas këtij raporti kredibil amerikan, me bazë në Washington, institucionet e Kosovës mbesin të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj qeverisë”, ka thënë Deliu-Kodra.

    Ajo ka thënë se sikur qeverisja e dobët dhe dëmshme të mos mjaftonte, Kryeministri dhe Qeveria jonë po përkujdesen që edhe raportet e ndërtuara me mund me aleatët tanë të prishen.

    “Tashmë janë bërë 8 muaj që Kosova edhe zyrtarisht është nën sanksione nga Bashkimi Evropian – ku po mbeten të bllokuara qindra-miliona euro investime për shtetin tonë”, ka thënë Deliu-Kodra.

    Sipas saj, sot, Kosova është peng i një qeverisje korruptive, të paaftë, që po dëmton buxhetin e shtetit të Kosovës, mirëqenien e qytetarëve tanë, të ardhmen evropiane të shtetit tonë dhe aleancat tona historike.

    Për këto arsye, Deliu-Kodra ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, tashmë ka kohë që kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë.

    Në fund të konferencës, deputetja Blerta Deliu-Kodra i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të madh të gjitha aferat në të cilat është përfshirë kjo Qeveri dhe zyrtarët e saj.

    Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se pushteti po heshtë për arrestimin e Hasan Krasniqit, zyrtarit që VV e vendosi si kryeshef në KRU “Gjakova”, shkruan Reporteri.net.

    “Pushteti po heshtë edhe për arrestimin e Hasan Krasniqit, zyrtarit që VV e vendosi si kryeshef në KRU “Gjakova”. Ai ra në pranga si i dyshuar për trafikim me njerëz. Hasani po akuzohet ndërkombëtarisht dhe ky rast shënon një prej skandaleve më të rënda dhe më të dëmshme për reputacionin e Kosovës viteve të fundit” ka shkruar Azemi në Facebook, të dielën.

    Ai ka përmendur edhe rastin e Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, duke thënë se këto raste tregojnë “korrupsionin e pushtetit”.

    “Fatkeqësia është se ky rast s’është i vetmi. Për tre vite mandat, kjo qeveri prodhoi plot skandale korruptive. Edhe Nagip Krasniqin e vendosën në krye të KEK-ut, edhe ai u arrestua për dyshime për keqpërdorim e korrusoion. Martin Berishajn e emëruan ambasador, u bë skandal rajonal. Andej ua arrestojnë një zyrtar të partisë për drogë, e këndej iu shpërthen skandali me rezerva në ministri”.

    “Skandal pas skandali. Keqpërdorime të njëpasnjëshme e korrupsion masiv. Tre vite kështu krahas një qeverisjeje të paaftë, e cila në më shumë se 1000 ditë vetëm e vështirësoi gjendjen socio-ekonomike në vend dhe e minimizoi çdo arritje të mëparshme të shtetit. E kanë futur vendin në udhë pa krye. Po bëhen rrezik për të ardhmen”, ka thënë Azemi.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh me 19 shkurt 2024, merr vesh gazeta online Reporteri.net. Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Atij, një gjykatën e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.

    Ndryshe, Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

    Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

    Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!