×
  • Lajme
  • Lajme

    Qindra xhami, teqe e kisha katolike u shkatërruan gjatë luftës në Kosovë, disa u shfrytëzuan si vende të masakrave e torturave nga forcat serbe

    Reporteri
    10 Qershor 2021 | 20:01

    Autor: Mirlind Behluli


    Ishte 2 maji i viti 1999 kur forcat serbe i vunë flakën Xhamisë tek Ura e Ibrit, e ndërtuar në shekullin e 18-të. E pas djegies ajo u rrafshua me eskavator për të mos u rindërtuar edhe pas 22 viteve nga përfundimi i luftës. Si xhamia afër lumit që tash ndan Mitrovicën e Jugut nga ajo e Veriut, e pësuan qindra xhami e objekte kulti islame si medrese, mejtepe e qendra bektashiane. Por të njëjtin fat patën edhe kishat katolike në Kosovë, të cilat u shkatërruan apo u përdhosën nga ushtria serbe.


    Organizata e Mjekëve për të Drejtat e Njeriut në vitin 1999 kishte dokumentuar mbi bazën e dëshmive të refugjatëve se në Kosovë gjatë luftës u shkatërruan 155 xhami në të gjithë vendin, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Sipas kësaj organizate në total 297 objekte kulti u shkatërruan gjatë luftës në Kosovë.

    Ndërkaq Bashkësia Islame e Kosovës jep një numër edhe më të madh.

    Në regjistrat e organizatës që përfaqëson myslimanët figurojnë saktësisht 218 objekte islame të shkatërruara, djegura, rrënuara e të demoluara nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

    Më së shumti objekte islame të shkatërruara, sipas BIK, pati në Pejë (35), Gjakovë (25), Rahovec (21), Suharekë (17), Prizren (14) e Prishtinë (13), numri i saktë të cilave janë përmbledhur në librin “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në luftën e Kosovës (1998-1999) që për autor ka ish-kryeimamin Sabri Bajgora.

    Ushtria serbe në Pejë dogji xhamitë më të vjetra të qytetit përfshirë xhaminë e Hamamit e ndërtuar më 1587, Xhaminë e Çarshisë që datonte nga vitit 1471 e ajo e Kurshumlisë që përfundoi së ndërtuari në vitin 1577.

    “Shumica e xhamive të komunës (Pejës v.j.), gjithashtu do të shkatërroheshin. Sipas zyrës lokale të bashkësisë islamike, nga tridhjetë e një xhamitë në mbarë komunën, trembëdhjetë do të rrafshoheshin, ndonëse tre prej tyre ishin shkatërruar qysh në vitin 1998 (njëra në Logjë, tjetra në Rausiq dhe e treta në Vranoc). Xhamitë e tjera në një mënyrë ose tjetër do të shfytyroheshin, ca me mbishkrime dhe ca me dëmtime të pjesshme. Më 19 korrik 1999, Human Rights Watch vizitoi arkivin treqind vjeçar të Bashkësisë Islamike, i cili ishte djegur e rrënuar”, shkruante Human Rights Watch, përcjellë Reporteri.net.

    Xhamia e Kuqe – Pejë

    Edhe xhamia e Hadum Agës në Gjakovë (1595), e Rugovës së Hasit, Xhamia e Qylit dhe e Fetah Agës patën fatin e njëjta si simotrat e saja në Pejë. As medreseja e Madhe e Gjakovës nuk u kursye gjatë luftës, e cila u rrënua nga ushtarakët e policët serbë.

    Për djegien e xhamisë së Hudumit e qytetit të vjetër të Gjakovës raportuan edhe organizatat ndërkombëtare.

    “Vala e parë e dhunës filloi më 24 mars, kur NATO nisi sulmet e saj mbi Jugosllavi, dhe vijoi deri më 2 prill. Qytetit të lashtë historik të Gjakovës, përfshirë edhe xhaminë e Hamudi-t, iu vu zjarri, ndërsa vrasjet sporadike ndodhnin në çdo cep të qytetit”, raportonte Human Rights Watch.

    Madje forcat serbe shfrytëzuan xhamitë si vend grumbullime të shqiptarëve të zënë rob gjatë vitit 1999.

    Një rast i tillë u identifikua në rajonin e Drenicës nga organizata e njohur e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”.

    Sipas kësaj organizate më shumë se 170 burra të etnisë shqiptare u futën në xhaminë e Qirezit me 30 prill 1999 ku u keqtrajtuan.

    “Ditën tjetër dy grupe u çuan pranë minierës së Shavarinës ku rreth 121 burra u ekzekutuan”, thuhet në Raportin e HRW.

    Edhe xhamia e Krushës së Madhe u përdorë si vend për grumbullimin e shqiptarëve të cilët më pas u privuan nga jeta.

    Në vitin 1999 edhe teqja bektashian në Gjakovë, e themeluar në vitin 1790, u dogj me themel nga forcat serbe, ku u bën shkrumë e hi 58 dorëshkrime të vjetra.

    Përveç objekteve fetare të myslimanëve, dhunës së ushtrisë serbe nuk i shpëtuan as kishat katolike duke veçuar kishën e Shën Antonit në Gjakovë e ndërtuar në shekullin e 18.

    Vlen të përmendet që me marrëveshjen për rivitalizimin e Urës së Ibrit, mbi truallin ku dikur zinte vend xhamia e Urës së Ibrit është paraparë të ndërtohet një fushë e tenisit.

    Xhamia tek Ura e Ibrit (Mitrovicë) – e djegur më 2 maj 1999

    Kujtojmë që sot gjatë ditës është mbajtur liturgjia e parë në kishën ortodokse në hapësirën e kampusit qendror të Universitetit të Prishtinës, e cila ishte ndërtuar gjatë viteve 90-ta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!