×
  • Lajme
  • Lajme

    QKRMT: 300 të burgosurit nga Danimarka “do të shkaktonin mbipopullim e përkeqësim të kushteve”

    Reporteri
    24 Dhjetor 2021 | 14:41

    Vendosja e 300 të burgosurve nga Danimarka në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, si dhe risistemimi i 200 të burgosurve që janë aktualisht, do të shkaktonte mbipopullim dhe përkeqësim të kushteve.

    Kështu u tha nga Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), derisa u është bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë t’i shqyrtojë implikimet mbi të drejtat e njeriut në Kosovë.

    “Sipas Ministrisë së Drejtësisë, brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të akomoduar përafërsisht 700-800 të burgosur dhe të paraburgosur, gjë që bie ndesh me gjetjet tona të faktuara pas vizitave monitoruese”, thuhet në komunikatë.

    Sipas kësaj Qendre, hapësira të cilës i referohet Ministria e Drejtësisë do të ishte e disponueshme vetëm nëse të gjitha kapacitetet e qendrave të paraburgimit të ishin funksionale.

    “Gjithashtu, hapësirat e mundshme që mund të identifikohen brenda shërbimit korrektues duhet të vlerësohen në bazë të kategorisë së të burgosurit përpara se të bëhet një transferim i tillë, pasi që vendet e lira në institucionet korrektuese, të cilave iu referohet Ministria e Drejtësisë janë brenda institucioneve specifike, gjë që është e pamundur që të transferohen të paraburgosurit nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan”, thuhet më tej.

    Me këtë rast, Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se nëse institucionet nuk do të mund të ushtrojnë autoritetin e tyre në respektimin e të drejtave dhe lirive për të gjithë individët brenda kufijve të saj, atëherë mbetet për t’u vlerësuar nëse Marrëveshja cenon sovranitetin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    “Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 1, paragrafi 2) ‘Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj’.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!