×
  • Lajme
  • Lajme

    QKUK nuk kryen analizën D-dimër, pacientët e infektuar me COVID-19 duhet ta bëjnë në laboratorë privatë

    Reporteri
    05 Dhjetor 2020 | 21:21

    Rritja e numrit të pacientëve që po kërkojnë trajtim spitalor në klinikat e QKUK-së ka bërë që ky institucion të mbetet pa reagensë për ta realizuar analizën D-dimer.


    Kjo analizë u kërkohet personave të infektuar me COVID-19 dhe, deri në fazën e shërimit, duhet të bëhet disa herë. Kjo analizë me parë ishte realizuar në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, e nga këtu nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë.

    D-dimer tregon nivelin e koagulimit të gjakut te pacientët, raporton KOHA.

    Në një përgjigje me shkrim nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar shkurt është thënë se kërkesa e re për furnizim është në procedurë, por nuk kanë saktësuar se kur do të furnizohen.

    “Ju informojmë se QKUK-ja ka kontratë për furnizim me D-dimer. Furnizimi i parë është kryer, por për shkak të rritjes enorme të rasteve me COVID-19 ka pasur kërkesa të rritura nga klinikat dhe kjo sasi është shpenzuar. Kërkesa e re për furnizim është proceduar dhe pritet liferimi i shpejtë i reagensëve për D-DIMER”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

    Por, kjo analizë, ndryshe nga ç’ndodh në QKUK, në spitalet regjionale bëhet, por shkaku i kërkesave të mëdha mund t’u bëhet vetëm pacientëve të hospitalizuar.

    “Që nga korriku e gushti, kjo analizë behët në spital. Ne kemi marrë ankesa të shumta nga pacientët që nuk trajtohen në spital, e që dëshirojnë me bë këtë analizë. Por, në laboratorin tonë kjo analizë bëhet vetëm për pacientët që janë të shtrirë në spital”, tha Hilmi Shala – Drejtor i Spitalit, Gjakovë.

    Njëjtë kanë deklaruar edhe nga Spitali i Përgjithshëm në Prizren, ku kanë thënë se për momentin janë të pajisur me reagensë dhe se në laboratorin e tyre gjatë ditës mund t’i realizojnë deri në 25 teste.

    Kjo analizë e gjakut kushton rreth 20 euro në laboratorët privatë. Kjo është vetëm një nga mungesat e shumta me të cilat përballën pacientët e infektuar me COVID-19.

    Muaj më parë, QKUK-ja kishte shpallur tenderë për furnizim me reagensë, por që ishte anuluar shkaku i mungesës së ofertuesit.

    Kjo analizë, përmes së cilës kërkohet monitorimi i gjendjes së pacientit, është e përfshirë në Udhërrëfyesin klinik për menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!