Sipas njohësit të së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, Hashim Thaçi ka mbajtur postet më të larta shtetërore dhe se ai nuk e ka kuptuar lojën në arenën ndërkombëtare dhe si rezultat i kësaj tani ai ka rënë në kurth.
“Pavarësisht se në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thotë që Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, me e pas secili shtet një vendim të tillë nga organi kryesor gjyqësor në botë, do ta kapitalizonte”, ka thënë Qorrolli, i cili ka fajësuar elitën politike për dështimet në arenën ndërkombëtare.
Një prej përgjegjësve kryesorë, sipas tij, patjetër se është Hashim Thaçi i cili nuk arrriti të krijojë unitet politik dhe është treguar përçarës në spektrin politik.
Ai ka deklaruar se pas zhvillimeve të fundit, presidenti nuk është i obliguar të jep dorëheqje derisa nuk deklarohet fajësia e tij.
“Nëse gjatë ditëve në vijim, Gjykata Speciale do të kërkonte dërgimin e z. Thaçi në Hagë, atëherë patjetër se ai do të duhej të jepte dorëheqje. Dorëheqja aktualisht mund të shihet vetëm si akt moral, por jo si obligim kushtetues”, ka deklaruar Qorrolli.
Sipas tij, në situatën në të cilën ndodhet Kosova zgjedhjet janë të pashmangshme, por sipas tij do të ketë rezistencë nga Partia Demokratike e Kosovës shkaku i problemeve me specialen të cilat i kanë dy figurat kryesore të saj.