×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Afatet kushtetuese

    Qytetarët e Kosovës sërish drejt kutive të votimit, këto janë dy datat kur mund të mbahen zgjedhjet e reja

    Reporteri
    29 Prill 2026 | 12:45

    Qytetarët e Kosovës do të detyrohen t’u drejtohen kutive të votimit sërish. Kjo meqë Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë Presidentin e ri edhe pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese që përfundoi të martën në mesnatë. Tashmë, Kosova ka hyrë në afatin e ri prej 45 ditësh për organizimin e zgjedhjeve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ushtrueses së detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, tani i mbetet t’i ftoj partitë në takim për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Ajo mbrëmë tha se kjo do të ndodhë brenda afateve kushtetuese.

    Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Albulena Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në. Ai ka shpjeguar se megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve, nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori.

    “Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori”, ka thënë Cakolli.

    Cakolli  ka thënë se me shpërndarjen e Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i Qeverisë.

    “Nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit (që ka pasur mangësi të shumta) dhe planit vjetor (që nuk është publik). Qeveria nuk mund të propozojë më projektligje të reja, strategji apo dokumente tjera politike, nuk mund të iniciojë emërime në pozita publike dhe nuk mund të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi”, ka thënë Cakolli.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë u shpreh i gatshëm për organizim të zgjedhjeve të reja. Po sot, u.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu pritet të takohet me kreun e këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare në Kosovë, brenda një viti, krahas atyre lokale që u mbajtën në dy raunde./Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!