Të hënën kishte interesim i madh nga ana e qytetarëve për ta përcjell nga ekranet televizive paraqitjen e parë të ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqi, para Gjykatës Speciale.
Vesel Kelmendi, nga fshati Vojnikë e Skenderajt tha për Klan Kosova se një gjykim i tillë ndaj krerëve të UÇK-së është i padrejtë.
“Të gjithë e dimë se kjo është e padrejtë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime. Krime kanë Serbia, në Kosovë, Bosnje, në Kroaci në krye me Sllobodan Millosheviqin Kasapin e Ballkanit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka mbrojtur vendin e vet, vatanin e vet, familjen e vet “.
Kelmendi i cili është edhe invalid i luftës theksoi se Specialja është e njëanshme.
“Gjykata është e padrejtë e njëanshme me Serbinë. Kjo gjykatë i gjykon vetëm komandantët dhe ushtarët e UÇK-së për ta njollosur luftën e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Ata që kanë bërë krime dhe spastrim etnik janë në Serbi”.
Ai theksoi se ata të cilët kanë bërë krime gjendet në Serbi.
“Njëri është president dhe tjetri kryetar i Kuvendit. Ata e kanë iniciativën e Millosheviqit, asgjë nuk ka ndryshuar.Kjo gjykatë i gjykon vetëm shqiptarët”.
“Kriminelët shëtitën lirshëm në Serbi.400 masakra janë në Kosovë, 1240 fëmijë janë të vrarë, nga një muaj deri në 13 vjet. Pleq dhe popull civilë. Ne besojmë në pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”.