×
  • Lajme
  • Lajme

    Ra ky virus dhe kosovarët po i kthehen fshatit

    Reporteri
    19 Mars 2020 | 17:26

    Gjithçka ka ndryshuar në jetën e evropianëve dhe amerikanëve këto ditë. Një virus që po përhapet shpejtë ka mbyllur pjesët me të rëndësishme të botës. Duket sikur film. Njerëzit janë mbyllur në shtëpitë e tyre, për ta evituar përhapjen, dhe e gjitha çfarë bëjnë në ambientet e jashtme është blerja e gjerave të domosdoshme apo kryerja e ndonjë shërbimi tjetër emergjent.


    Njëjtë gati po ndodhë edhe në Kosovë, ani pse duket se njerëzit qarkullojnë kohë pas kohe për t’ia dhënë qyteteve pak gjallëri në kohën kur s’ka gati asgjë të hapur, përveç supermarketeve.

    Që një kohë të gjatë shumë banorë të fshatrave kosovare po migronin në qytet. Tashmë qytetet janë populluar shumë dhe është rritur hapësira e ndërtimeve kolektive.
    Megjithatë, shumë familje e individë që kanë migruar nga fshati në qytet, këto ditë kanë një arsye më shumë për ta braktisur qytetin e për t’iu kthyer fshatit.

    Jo pak njerëz që punonin e jetonin në Prishtinë, janë kthyer për pak kohë në fshat. Të izoluar në qytet në këtë kohë vetë izolimi, fshati po shihet si një hapësirë më e mirë për ta shtyrë kohën, për të qenë më shumë në ambientet e jashtme dhe për të qenë aktiv.
    Natyra, peizazhi i hapur, shtëpitë private, pra pa kontakte me turma apo ambiente që mund të jenë infektuese me coronavirus janë një shpëtim i mirë nga rutina e deritanishme, shkruan Reporteri.

    Ndonëse rastet e para, prej 20 sa janë deri tash në Kosovë kanë rënë në fshatra, prapë anekënd Kosovës, karantinimi në fshat po shihet opsion më i lehtë për ta përballuar. Dhe kjo për arsyet e përmendura me lartë.

     

    Në qytet është pamundësia për të lëvizur dhe duke e parë heshtjen e madhe e duke u përballë me ndalesa. Ndërkaq në fshatra secili ka më shumë mundësi ta menaxhojë kohën, të jetë më aktiv dhe në këtë mënyrë edhe stresi që mund të shkaktohet nga situata e krijuar, është me i menaxhueshëm. Se njerëzit po e mësyjnë natyrën është parë edhe këto ditë në parkun Germia në Prishtinë, ku përkundër thirrjeve për shmangie nga vendet me shumë njerëz, qytetarët dolën dhe kjo u kritikua më pas, pasi nuk ishte një mesazh i mirë për respektimin e masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe rrezikonte që të devijonte edhe në segmente të tjera. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!