×
  • Lajme
  • Lajme

    Raiffeisin Bank e pranon se i mori 29€ provizion, kosovarit që dërgoi 100€ për të prekurit e tërmetit

    Reporteri
    26 Nëntor 2019 | 23:03

    Shqipëria është goditur sot nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka lënë të vdekur dhjetëra persona, qindra të lënduar dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.


    Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Si pasojë e kësaj edhe shumë persona kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

    Forcat e Sigurisë së Kosovës ndodhen në Shqipëri në ndihmë të autoriteteve shqiptare, shkruan Reporteri.net.

    Por në ndihmë ndaj personave të goditur nga tërmeti në Shqipëri u kanë dalë edhe qytetarët e Kosovës. Ata kanë shprehur një solidarizim të paparë me vëllezërit shqiptarë, siç kanë bërë edhe ata gjatë kohës së luftës, duke strehuar mijëra refugjatë nga Kosova.

    Mirëpo, një qytetar nga Istogu ka treguar përvojën e tij të hidhur në përpjekje për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Ai i ka dërguar 100 euro ndihmë financiare familjeve të prekur nga tërmeti në Shqipëri. Transferin e ka bërë përmes  “Raiffeisen Bank” e cila si provizion, ia ka ndalë 29 euro, apo rreth 30 % e vlerës së përgjithshme.

    Ai është shprehur i indinjuar me këtë fakt, duke publikuar rastin të dokumentuar në rrjete sociale.

    “Nga Bankat tona ndodhë edhe kjo. Nga kontributet vullnetare emergjence për ndihëm të prekurve nga termeti në Shqipëri ,banka për transferin e asaj ndihmë solide edhe në këto situata të dhimbshm ,për 100€ merr provizion 29 € TURP”, ka shkruar ai në “Facebook”

    E menjëherë pas reagimeve, ka reaguar Raiffeisen Bank, e cila e ka pranuar se ka ndalur provizion për këto para, mirëpo ka theksuar se do t’i kthejë nesër.

    “Ju njoftojmë se pas situatës së krijuar në Shqipëri, Banka Raiffeisen nuk do të aplikojë asnjë tarifë për transferet që klientët e Bankës Raiffeisen i dërgojnë si ndihmë në llogaritë zyrtare humanitare të shpallura nga Republika e Shqipërisë. Po ashtu, edhe tarifa që zakonisht merret nga bankat ndërmjetësuese dhe pranuese për transfere ndërkombëtare do të mbulohet nga Banka Raiffeisen në Kosovë, duke bërë që shuma që e transferon klienti të arrijë e plotë në llogarinë humanitare. Po ashtu ju njoftojmë se të gjitha tarifat që janë ndalur për transferet e ekzekutuara në këto llogari humanitare gjatë ditës së martë, me datë 26 nëntor do të kthehen tek klientët”, kanë thënë banka.

    Ndryshe, mijëra kosovarë kanë ofruar ndihmë për shqiptarët e prekur nga tërmeti, dhe ndihma nuk është kufizuar vetëm në para, por kanë ofruar edhe strehim./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!