×
  • Lajme
  • Rajon

    Abazoviq ia rikujton: 20 ditë kohë i ka Gjukanoviq për t’i rrënuar dy objektet e tij pa leje

    Reporteri
    05 Prill 2023 | 16:16
    Dritan Abazoviq

    Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka bërë të ditur se Milo Gjukanoviq i ka afat 20 ditë për t’i rrënuar dy objektet e tij pa leje.

    Ky koment i tij vjen pas vendimit të Inspektoriatit malazez, që e detyron Gjukanoviqin t’i rrënojë këto dy objekte, që gjenden në Nikshiq dhe Koçni, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Abazoviq tha se aktualisht po ndërmerren disa aksione për rrënimin e ndërtesave të paligjshme në Mal të Zi, duke shtuar se nuk ka rëndësi pronari.

    “Dje janë prishur objektet në Utjehi, ndërhyrje të tilla do të ketë edhe në pjesë të tjera të vendit, po prishnim bazat për shfrytëzim të paligjshëm të zhavorrit, nuk më interesojnë personat me emër, a është pronari i objektit Mil. Gjukanoviq, Dritan Abazoviq apo nuk e di kush”, tha Abazoviq.

    Sipas kryeministrit malazez, nuk ka arsye specifike pse u prit deri tash që të ndërmerret aksion i tillë. Ai tha se kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së shpejti.

    “Ajo se pse u prit deri tani nuk është çështje e imja. Gjithçka që gjeta, u përpoqa ta zgjidhja sa më shpejt. Përfshirë të korruptuarit brenda administratës publike. Nëse ai [inspektorati] do ta merrte vendimin para zgjedhjeve presidenciale, do ta thoshin ka qenë e qëllimshme për shkak të zgjedhjeve presidenciale. Tani para zgjedhjeve parlamentare. Kemi zgjedhje çdo dy muaj”, theksoi Abazoviq.

    Kujtojmë se Gjukanoviq dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka humbur zgjedhjet presidenciale së fundmi. Fituesi i zgjedhjeve, Jakov Milatoviq, pritet që të jetë president i Malit të Zi nga tani e tutje. /Reporteri.net/.

    Televizioni malazez: Inspeksioni ka urdhëruar t’i rrënohen ndërtesat pa leje Milo Gjukanoviqit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!