Kandidati i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për kryeministër dhe ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën në Serbi, duke deklaruar se Lista Studentore ka fituar shumicën e mandateve në Kuvend.
Në një konferencë për media nga shtabi zgjedhor i Partisë Progresive Serbe (SNS), Vuçiq tha se rezultatet përfundimtare ende nuk janë publikuar, por të dhënat që disponon partia e tij tregojnë se zgjedhjet janë fituar nga lëvizja e mbështetur nga studentët.
“Në bazë të mostrës, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa ne rreth 105 mandate. Ne kemi rreth 1.720.000 vota, ndërsa ata rreth 2.200.000”, tha ai.
Ai tha se, bazuar në mostrat e votave të analizuara nga partia e tij, Lista Studentore pritet të sigurojë ndërmjet 135 dhe 140 mandate në Kuvendin e Serbisë, ndërsa lista e tij rreth 105 mandate.
Kuvendi i Serbisë ka gjithsej 250 deputetë, ndërsa për krijimin e shumicës parlamentare nevojiten të paktën 126 mandate.
Ai tha se rezultatet e para tregojnë se disa parti të tjera mund të mos e kalojnë pragun zgjedhor, përfshirë Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila ka qenë partnere e SNS-së në qeverisje.
Vuçiq theksoi se këto janë vlerësime paraprake dhe se rezultatet përfundimtare duhet të konfirmohen nga institucionet zgjedhore.
Studentët sfiduan pushtetin pas gati dy vjetësh protesta
Fitorja e projektuar e Listës Studentore vjen pas një periudhe të gjatë protestash në Serbi, të cilat filluan në nëntor të vitit 2024, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
Protestat, të udhëhequra fillimisht nga studentët, u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte përgjegjësi institucionale, luftë kundër korrupsionit dhe reforma demokratike.
Lëvizja më pas vendosi të marrë pjesë në zgjedhje përmes Listës Studentore, e cila përfshin profesorë universitarë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Zgjedhjet e së dielës u karakterizuan nga pjesëmarrje e lartë e qytetarëve.
Sipas vlerësimeve të organizatave CeSID dhe Ipsos, deri në orën 19:00 kishin votuar rreth 67.6 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Ende priten rezultatet përfundimtare
Megjithëse Vuçiq e ka pranuar humbjen, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimtare.
Vlerësimet fillestare të bazuara në mostra dhe numërimet e para zyrtare nuk përputhen plotësisht, prandaj shpërndarja përfundimtare e mandateve mbetet për t’u konfirmuar.
Nëse rezultatet e projektuara konfirmohen, Lista Studentore do të ketë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë pa pasur nevojë për një koalicion me partitë e tjera.
Zgjedhjet mund të shënojnë përfundimin e periudhës 14-vjeçare të dominimit politik të Partisë Progresive Serbe në qeverisjen e vendit.
Kujtojmë se në Serbi janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 6.45 milionë qytetarë me të drejtë vote zgjedhin përbërjen e re të Parlamentit prej 250 ulësesh.
Në garë kanë qenë 18 lista zgjedhore, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës marrin pjesë të bashkuar përmes listës “Koalicioni Shqiptar”, e cila garon me numrin 17 dhe ka statusin e listës së pakicës kombëtare.
Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe janë mbyllur në orën 20:00. /Reporteri.net/.