Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka paralajmëruar se nga 28 janari i vitit të ardhshëm në RMV do të ketë kryeministër shqiptar, duke e zbatuar marrëveshjen e koalicionit të partisë së tij dhe LSDM-së.
Këto komente Ahmeti i bëri nga ceremonia ku e pranoi çmimin “Qytetar Nderi i Tropojës” në qytetin e Bajram Currit.
“Azgan, s’ka besoj. Më 28 janar do të ketë kryeministër shqiptar në Maqedoni”, tha mes të tjerash Ali Ahmeti.
Drejtuesit e partive politike në Maqedoninë e Veriut ranë dakord të hënën për datën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në 2024.
Në një takim të thirrur nga Kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, ku morën pjesë pothuajse të gjithë drejtuesit e partive politike, u arrit konsensusi që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet më 24 prill të vitit 2024, ndërsa raundi i dytë të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj të vitit 2024.
Partitë në takim janë pajtuar edhe me vazhdimin e funksionimit të qeverisë teknike, e cila do ta marrë detyrën në 100 ditët e fundit të qeverisë; në këtë rast më 28 janar të vitit të ardhshëm.