×
  • Lajme
  • Rajon

    Arrestohet lideri i partisë kryesore opozitare në Republikën Sërpska

    Reporteri
    09 Qershor 2025 | 14:06

    Millan Milliqeviç, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, u arrestua të hënën, konfirmuan nga kjo parti, që është më e madhja opozitare në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

    Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti njoftoi se oficerët e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, nën mbikëqyrjen e Departamentit Special për Luftimin e Korrupsionit dhe disa departamenteve të tjera, kryen një aksion operativ të koduar “Blloku”.

    Në njoftimin e MPB-së thuhet se personat me inicialet M.M., M.D. dhe M.J. – të gjithë nga qyteti Teslliq – u privuan nga liria, nën dyshimet se kanë kryer vepra penale të ndikimit dhe pranimit të ryshfetit.

    Në njoftim thuhet, gjithashtu, se oficerët e policisë kanë sekuestruar rreth 45.000 euro gjatë hetimeve në gjashtë muajt e fundit, me urdhër të gjykatës kompetente.

    Këto para thuhet se buronin nga veprimet korruptive të personave të përmendur dhe se ato janë depozituar në depozitën e gjykatës.

    Personat e privuar nga liria do t’i dorëzohen prokurorit kompetent të Prokurorisë së Republikës Sërpska brenda afatit ligjor, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti.

    Nga Partia Demokratike Serbe në Teslliq thanë se “kjo është një përpjekje e dukshme për frikësim politik, duke krijuar kaos dhe dhunë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve”./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!