Bosnje-Hercegovina mund të merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të këtij viti, dhe kjo është arsyeja kryesore e vizitës atje e Komisionarit Evropain për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, raporton gazeta online Reporteri.net.
Por, Presidenti i entitetit serb të BeH-së, “Republika Srpska”-s, Milorad Dodik, pak para arritjes së komisionarit evropian, tha se pavarësisht se çfarë mesazhesh sjell ai, “nuk i pranojnë sanksionet ndaj Federatës Ruse”.
“Kjo çështje do të vendoset në tryezë e ne s’do ta pranojmë sanksione kundër Federatës Ruse pavarësisht se çfarë pritet prej nesh. Fakti se ata po bëjnë luftë kundër Rusisë, ne s’duhet ta vuajmë atë”, ka thënë Dodik, raportoi e përditshmja serbe “Nova”, përcjell Reporteri.net.
Dodik nuk i njeh sanksionet dhe vendimet e BeH-së të cilat përkojnë me perëndimin kundër luftës ruse në Ukrainë, dhe arsyeton se bashkëndimi i BeH-së është bërë pa pajtimin e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës.
Ai tha se nuk dëshiron “që populli serb të mbetet në histori si dikush që ka sanksionuar Rusinë”.
Varhelyi ka thënë se në dhjetor mund të pritet vendim pozitiv për Bosnje-Hercegovinën në marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Vetëm Kosova dhe Bosnja-Hercegovina nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë këtë status, derisa Kosova pritet që deri në fund të vitit të aplikojë për anëtarësim në BE./Reporteri.net/