×
  • Lajme
  • Rajon

    Blinken e Lavrov sot e nesër në Shkup, nuk dihet nëse do të ketë takim

    Reporteri
    29 Nëntor 2023 | 13:56

    Maqedonia e Veriut nga sot është nikoqire e Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili do të mbahet në Shkup deri më 1 dhjetor dhe ku pritet të marrin pjesë rreth 1000 delegatë. Por, ajo që po tërheq shumë vëmendjen është pjesëmarrja në të njëjtin samit e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken.

    Samiti i OSBE’së që fillon sot në Shkup mbledh të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Ministrat do të marrin vendime për funksionimin e mëtejshëm të OSBE-së dhe është e sigurt se do të vendosin që Malta të marrë rolin e kryesimit të OSBE-së për vitin 2024. Pas më shumë se tre dekadash pavarësi, Maqedonia e Veriut për herë të parë po pret një tubim të tillë, i cili konsiderohet një sukses i madh i diplomacisë së brendshme në vend. Përgatitjet për këtë ngjarje kanë zgjatur një vit të tërë dhe gjatë tubimit do të angazhohen disa shërbime policore.

    Takimi do të shënohet nga prania e ministrave të jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë, Antony Blinken dhe Sergei Lavrov, duke e bërë atë një nga ngjarjet e pakta në të cilat të dy marrin pjesë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

    Ashtu siç raportohet nga Maqedonia e Veriut, deri vonë nuk ishte e sigurt nëse Lavrov do të jetë i pranishëm në Shkup. Ardhja e tij në këtë samit po bëhet e mundur pasi me kërkesë të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria i dha leje avionit të ministrit të jashtëm rus që të mund të kalojë mbi territorin e saj për të ateruar në Shkup./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!