Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar për një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Blinken tha se në këtë takim, me Vuçiqin ka folur mbi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kisha një takim produktiv me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në Konferencën e Sigurisë. Diskutuam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovës dhe i përcjella mirënjohjen tim për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, ka shkruar Blinken në Twitter.
Ndërsa në këtë konferencë është nisur për të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti pritet që në Mynih të Gjermanisë të zhvillojë takime me liderë botërorë.
Sekretari Blinken, për rëndësinë e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi ka folur edhe në një letër urimi dërguar Kosovës në 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Në këtë letër, të cilën e ka bërë publike kryediplomatja Donika Gërvalla, Blinken shkruan se propozimi evropian mbetet kyç në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ai tha se ky propozim sjell edhe njohjen eventuale reciproke, dhe se, me mbështetjen e ShBA-ve, dialogu do ta çojë përpara anëtarësimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike. /Reporteri.net/.
Sekretari Blinken i çon letër Kosovës, përcjell mesazhe për propozimin evropian