Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka kërcënuar me shkëputje të Republikës Sërpska nga Bosnja.
Në një intervistë dhënë së fundmi, Dodik kërcënoi se shkëputja ose shpallja e një Republike Sërpska të pavarur do të pasonte po atë moment kur Përfaqësuesi i Lartë për BeH, Christian Schmid do të tentojë të imponojë përfundimisht ligjin që zgjidh statusin dhe të drejtën për të disponuar pasurinë shtetërore, shkruan index.hr.
Ai thotë se ka informacione se një vendim i tillë mund të pasojë në muajin janar dhe ka paralajmëruar se në atë rast Kuvendi i Republikës Sërpska do të mblidhet menjëherë dhe do të shpallë shkëputjen.
Dodik tha se ka miq në botë që do të pengojnë ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare në rast se Republika Sërpska shpall shkëputjen nga Bosnja dhe Hercegovina.
Dodik shtoi se kjo do të nënkuptonte “pavarësi nga Bosnja dhe Hercegovina në çdo gjë”, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Ne nuk presim që dikush nga Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës të inkurajohet për të sulmuar Republikën Sërpska. Dhe në rrethana të tilla, ne do të vlerësojmë se si do të veprojmë. Unë pres që EUFOR të qëndrojë në vijën ndër-entike dhe të parandalojë kontaktet”, tha ai.
Sipas Dodik, në një skenar të tillë “amerikanët do të tërbohen dhe do të përpiqen të kërkojnë ndërhyrje”, por ai thotë se beson se “miqtë e RS-së nuk do ta lejojnë”.
Ai nuk ka sqaruar se cilët miq e kishte fjalën, por dihet se Dodik për momentin përveç Beogradit ka miq vetëm në Moskë dhe Budapest, pasi ka marrëdhënie të mira me presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Nga janari i vitit pasardhës, është Hungaria ajo që merr nga Austria komandën e forcave ushtarake të Bashkimit Evropian në BeH (EUFOR), detyra e të cilave është parandalimi i konflikteve të mundshme të armatosura, por edhe garantimi i lirisë së lëvizjes nëpër BeH, pasi kjo është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Dejtonit.
Vetë përfaqësuesi i lartë për BeH, Christian Schmid nuk e ka përmendur mundësinë e vendosjes së ligjeve për pronën shtetërore dhe vazhdimisht ka theksuar se ky është obligim dhe përgjegjësi e autoriteteve në Bosnjë dhe Hercegovinë. /Reporteri.net/