Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka ndjekur live të enjten ndeshjen e Euroligës në stadiumin “Arena” mes Partizanit dhe Panathinaikosit dhe në një tavernë ka festuar fitoren e klubit beogradas.
Pamjet nga festa janë publikuar nga portali “Berane online” në profilin në Instagram.
“Dritan Abazoviq ka kënduar në një tavernë në Beograd me vajzën e mbretit të ndjerë të muzikës popullore Shaban Shauliq, këngëtaren Ilda Shauliq pas fitores së Partizanit ndaj Panathinaikos”, thuhet në përshkrimin e videos së parë që është publikuar.
Mediat serbe shkruajnë se një këngë i pëlqeu veçanërisht dhe ndërsa Ilda Shauliq këndonte “ndalo, zemër, më lër të të largohem”, Dritani, i përqafuar nga miqtë e tij, këndoi njëzëri dhe shihej shumë i lumtur.
Abazoviq shërbeu për një kohë si kryeministër i Malit të Zi, si shqiptari i parë që mbante një post kaq të lartë në këtë shtet. Ai kryeson një parti politike me bazë qytetare e përbërë nga të gjitha etnitë që jetojnë në Mal të Zi.