Zjarrfikësit e kanë gjetur të premten trupin e një emigranti tjetër, i cili u mbyt si pasojë e fundosjes së një anijeje emigrantësh në lumin Drina mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Administrata Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska.
Numri i të mbyturve nga fundosja e anijes dy ditë më parë ka shkuar në 11, tha drejtori i Administratës Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska (ARMCRS), Boris Tërniniq.
Në mesin e viktimave ishte edhe një foshnje.
Një ditë më herët u gjetën trupat e dhjetë emigrantëve në lumin Drina dhe në brigje e tij, pasi anija e tyre u fundos gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë natën mes të mërkurës dhe të enjtes.
Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë ka urdhëruar nisjen e një hetimi për kontrabandimin e emigrantëve nëpër lumin Drina, tha zyra e prokurorit.
Prokuroria thekson se për rastin kanë marrë informacion nga pjesëtarët e Policisë Kufitare të Bosnjës.
“Persona të panjohur nga territori i Serbisë në Bosnje e Hercegovinë [përpiqen] të kontrabandojnë një numër të madh emigrantësh. Si pasojë anija është përmbysur në lumin Drina, një grup emigrantësh kanë notuar në breg dhe trupat e pajetë të disa emigrantëve janë gjetur dhe nxjerrë nga lumi”, thuhet në deklaratë.
Hetimet nga policia kufitare dhe shërbimet e tjera të sigurisë të Bosnje e Hercegovinës janë duke vazhduar, ndërsa po mbledhin të dhëna me qëllim “të gjetjes së fakteve për ngjarjen në fjalë dhe paraqitjen e kallëzimit për veprën penale”.
Kërkimi për emigrantë të tjerë të zhdukur është duke vazhduar ende, tha ARMCRS, duke shtuar se nuk dihet numri i të zhdukurve.