×
  • Lajme
  • Rajon / Histori e rezolutave

    Gjenocidi i Serbisë në Srebrenicë

    Reporteri
    23 Maj 2024 | 18:54

    Rezoluta për Srebrenicën është miratuar në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta është miratuar me 84 vota pro.

    Nëpërmjet kësaj rezolute, 11 korriku është shpallur si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

    Me këtë rezolutë, dënohet çdo mohim i gjenocidit të Srebrenicës dhe u bën thirrje shteteve që të ruajnë të vërtetën.

    Gjithashtu, me këtë rezolutë bëhet thirrje për dënimin e atyre që klorifikojnë të dënuarit për krime lufte në rastin e Srebrenicës.

    Gjatë vitit të kaluar, eshtrat e 30 viktima të gjetura së voni do të shtohen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,600 viktimave të tjera.

    Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

    Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

    Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

    Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,600 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

    Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

    Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

    Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

    Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

    Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

    Në Parlamentin e Serbisë janë edhe dy rezoluta të tjera – në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid – por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.

    Ndërkaq, në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.

    Një rezolutë të tillë e kishte miratuar edhe Shqipëria në vitin 2022.

    Një rezolutë e ngjashme u miratua edhe në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor dhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2010.

    Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

    Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.

    Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!