×
  • Lajme
  • Rajon

    Hill: ShBA kërkon sqarim nga Serbia se çfarë nënshkroi me Rusinë në New York

    Reporteri
    26 Shtator 2022 | 11:54
    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë shpjegim nga Serbia për atë çfarë u nënshkrua me Rusinë në New York, deklaroi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë, shumë pak shtete e bëjnë një gjë të tillë. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë,” tha ambasadori Hill në një fjalim para gazetarëve pas forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat kundër korrupsionit në kohë pasigurie gjeopolitike”, të cilën e hapi së bashku me kreun e delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuel Giofre.

    Hill tha se javën e kaluar në New York janë zhvilluar bisedime të shkëlqyera ndërmjet delegacioneve të ShBA-së dhe Serbisë dhe se në fund të javës dhe pas gjithë atyre bisedimeve kanë marrë vesh për nënshkrimin e protokollit.

    Ambasadori amerikan shton se nuk e kanë parë protokollin e nënshkruar, pasi nuk është dokument publik.

    “Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por duam të dëgjojmë një shpjegim të asaj që është në rrezik”, tha Hill.

    Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviç dhe Sergej Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, nënshkruan Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.

    Selakoviç tha se është një çështje teknike, e cila është bërë që nga viti 1996 dhe se marrëveshja po sulmohet nga “ata që as nuk e kanë parë”.

    Siç tha ai, ai plan përmban lëvizjet e ardhshme në lidhje me konsultimet e OKB-së për Kosovën, marrëdhëniet bilaterale dhe aktivitetet multilaterale dhe nuk ka asnjë politikë të sigurisë në të./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!