×
  • Lajme
  • Rajon

    Këshilltari i Departamentit të Shtetit viziton Bosnjë dhe Hercegovinën

    Reporteri
    15 Nëntor 2021 | 17:28

    Këshilltari i Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, Derek Chollet, ka arritur më 15 nëntor për vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë si pjesë e angazhimit amerikan për të riafirmuar mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi.

    SHBA-ja po u bën thirrje krerëve të këtij vendi që të përfshihen në dialog konstruktiv për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike.

    Ai do të zhvillojë bisedime me anëtarët e Presidencës trepalëshe të këtij vendi, me Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar, Christian Schmidt, si dhe me zyrtarë tjerë të Bosnjës.

    Në fund të prillit, Chollet u bëri thirrje politikanëve në Bosnje dhe Hercegovinë që të diskutojnë për përparimin dhe reformat kryesore, në vend të retorikës nxitëse dhe kërkesave ekskluzive, pati njoftuar në atë kohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.

    Gjatë qëndrimit të tij në Sarajevë, Chollet pritet t’iu ritheksojë zyrtarëve se institucionet funksionale, demokratike në të gjitha nivelet e qeverisjes janë çelësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, si në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, ashtu edhe në Republikën Sërpska (RS), si dhe në rrethin e Bërçkos.

    Vizita e Chollet pason atë të Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në fillim të muajit nëntor.

    Ai u tha qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës se vendi i tij nuk do të mbështesë kurrë aktivitete të njëanshme që do të rrezikonin Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

    Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik ka kërcënuar me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.

    Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), entitetet e Republikës Sërpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës nuk mund t’i kthejnë në mënyrë të pavarur kompetencat që i janë transferuar shtetit në periudhën e mëparshme.

    Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

    Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!