×
  • Lajme
  • Rajon

    Komshiq para Këshillit të Evropës: Fqinjët e kërcënojnë Bosnjën, na imponojnë ndarje etnike

    Reporteri
    25 Janar 2022 | 17:54

    Kryetari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelko Komshiq i ka akuzuar shtetet fqinje për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij dhe mbështetje të koncepteve që çojnë në konsolidimin e ndarjeve etnike në mënyrë që ta ruajnë kontrollin mbi burimet kryesore të Bosnjës, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.

    Komshiq prezantoi teza të tilla para anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbledhur në Strasburg, dhe u foli atyre përmes një video-lidhjeje nga Sarajeva, sepse nuk mund të udhëtonte pasi u konfirmua se ishte infekruar me koronavisur.

    Vendet fqinje, të cilat nuk i përmendi në mënyrë eksplicite, Komshiq tha se po e “pushtojnë sistemin politik të BeH” dhe po përpiqen t’i kontrollojnë burimet përmes satelitëve të saj. Ai tha se sheh prova për këtë në faktin se çështjet e kufirit tokësor dhe detar nuk janë zgjidhur.

    “Vendet fqinje po e mohojnë kombin boshnjak në një përpjekje për t’i përdorur identitetet etnike në vendin tim në avantazhin e tyre”, tha Komshiq, i cili e shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që t’i kundërshtojnë thirrjet për ndryshime në ligjin zgjedhor, ta forcojnë konceptin e popujve përbërës në BeH dhe ta mbështesin zgjidhjen që do ta forconin rolin e qytetarit si bartës i sovranitetit.

    Konkluzioni i Komshiq është se një sistem i bazuar në përkatësinë etnike në fakt vendos tri sisteme totalitare etnike, të cilat të gjitha janë vetëm një mbulesë për kontrollin e burimeve.

    Ai tha se kushtetuta aktuale e Bosnjës e imponuar nga Marrëveshja e Dejtonit duhej të ishte reformuar shumë kohë më parë, por jo në një mënyrë që do t’i forconte ndarjet e mëtejshme etnike, por që t’i eliminonte ato, ashtu si konceptet e votimit etnik dhe mekanizmat me të cilët pakicat mund ta bllokonin vullnetin e Parlamentit dhe shumicës politike të Bosnjës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!