×
  • Lajme
  • Rajon

    Kontrolluesi i certifikuar i fakteve flet rreth “Slobodna Bosna”: Prodhues të mëdhenj manipulimesh e dezinformatash me porosi

    Reporteri
    23 Korrik 2024 | 17:22

    “Janë prodhues të mëdhenj manipulimesh…s’do të thoja që janë liderë në prodhim të dezinformimit, por ama liderë në publikim të tyre, po”.

    Kështu e përshkruan Darko Brkan, drejtues i platformës së kontrollimit të fakteve (fact-checker) në Bosnje-Hercegovinë, “Raskrinkavanje”, portalin boshnjak “Slobodna Bosna” që publikoi një artikull kontrovers me anë të të cilit u sulmuan dy media kosovare.

    “Slobodna Bosna”, dje, ndërtoi gjoja ‘hulumtim’ që e dha për lajm ekskluziv se kinse dy mediume në Kosovë – Periskopi dhe Nacionale – janë ofruar në shërbim të shtetit serb. Dezinformata u rishpërnda edhe në gjuhen shqipe, nga RTK-ja. Madje, u dha si kronikë në “Lajmet Qendrore”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Por, siç raportohet sot, mediumi kontroverz “Slobodna Bosna” njihet për prodhim e lajmeve të rreme, manipulimin e fakteve dhe përhapjen e dezinformatave, sipas platformës “Raskrinkavanje” e cila bën verifikimin e fakteve dhe raportimeve në mediat në Bosnje dhe Hercegovinë – platformë kjo aprovuar nga kompania “Meta” si “fact-checker” për Facebook.

    Për këtë ka folur edhe drejtuesi i kontrolluesit të fakteve “Raskrinkavanje”, Darko Brkan, tregoi të martën më shumë rreth mediumit boshnjak “Slobodna Bosna”. Drejtuesi i platformës së kontrollimit të fakteve të certifikuar nga “Meta” tha për “Nacionale” se portali boshnjak njihet për publikimin e dezinfomrmatave dhe përmbajtës së dyshimtë.

    “Prodhojnë dezinformata…gjëra të paverifikuara…për senzacion…përmbajtje të dyshimtë për nga besueshmëria…thjesht çka t’u bjen në dorë për të mbijetuar”, tha ai për Nacionalen, i pyetur rreth “Slobodna Bosna”.

    “Vlerësimi im do të ishte që ata kryesisht do të kenë artikuj që janë të dyshimta sa i përket besueshmërisë, por më shumë është që duan senzacion duke përdorur burime të pakonfirmuara; dhe kopjojnë burime nga burime tjera, dhe kryesisht publikojnë senzacionalisht për klikime sa më shumë”.

    “Kjo është praktikë shumë e zakonshme në mesin e mediave të BeH-së ku marrin gjoja një burim për ta kinse të informuar dhe zakonisht njerëz të ndryshëm montojnë dezinformata të ndryshme. Dhe kjo është gjë krejt e zakontë për çështje të brendshme politike në Bosnje, thashetheme politike ose burime të paverifikuara e hiç kredibile dhe pa kurrëfarë dokumentimi botohen si storje ekskluzive. Shumë e zakonshme kjo këtu të bëhet. Slobodna Bosna nuk përjashtohet, e kanë bërë më herët si shumë media tjera”, tha Darko Brkan.

    Se një gjë e tillë mund të ketë qenë rasti me pushtetin politik në Kosovë që i dha jehonë raportimit të mediumit boshnjak, për Brkanin “nuk është aspak befausese”.

    “Kjo është edhe mënyra e zakonshme e vendosjes (montimit) dezinformimit. Ne këtu në rajon e kemi parë shpesh, ku aktorë politikë nga një vend, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë, e montojnë një copë informacioni në një vend tjetër dhe e shpërndajnë në vende të tyre…kështu duke e pretenduar pastaj atë lajm si kredibil sepse kur lajmi vjen nga një vend tjetër duket më kredibil se sa ta botosh në vendin tuaj”, tregon ai.

    “Slobona Bosna është prodhues i madh i manipulimeve të mediave të ndryshme, nuk do të thoja që është në majen e atyre që prodhojnë copët e tyre të dezinformimit por publikimi i dezinformatave është gjëja e tyre. Por, nuk është se i prodhojnë dezinformatat prej vete. Këtë e ke të sigurt. Nuk janë liderë të prodhimit të dezinformatave, por të publikimit të tyre, po”, përfundoi Brkan në një përgjigje për Nacionale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!