×
  • Lajme
  • Rajon

    Kosova e akuzonte për tjetërsim pronash, dëshmia e tij mund ta çojë në burg Gjukanoviqin – Kush është biznesmeni malazez që u kap në Britani?

    Reporteri
    03 Qershor 2024 | 14:29

    Biznesmeni malazez, Dushko Knezheviq, u ekstradua nga Britania e Madhe për në Mal të Zi në fund të majit, ku ju caktua edhe masa e paraburgimit. Prokuroria Speciale malazeze ia kishte ngritur tetë aktakuza, ku mes tjerash akuzohej edhe për krijim të organizatës kriminale dhe pastrim parash. Afaristi malazez nuk pati probleme ligjore vetëm me shtetin amë. Kompania e tij, Rekreaturs, në të cilën zotëron 99 për qind të aksioneve, para disa vitesh ra në gjyq edhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Kjo, për 33 mijë metra katrorë në plazhin e Kamenovës, e cila gjendet në Budva.

    Nga viti 2019, Prokuroria Speciale ka ngritur tetë aktakuza kundër Knezheviqit për shkak të dyshimit se përmes disa organizatave kriminale ka dëmtuar buxhetin e shtetit me qindra milionë.

    Ai akuzohet për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në ekonomi, krijimi i organizatës kriminale dhe pastrim parash.

    Gjyqet nuk filluan kurrë, sepse Knezheviq u arratis në Londër në vitin 2019, që atëherë ai ka qenë i paarritshëm për autoritetet gjyqësore.

    Atë vit, Mali i Zi lëshoi ​​një urdhër të Interpolit për të.

    Është pikërisht ky biznesmen për të cilin dje u raportua se dëshmia e ti mund të çojë në arrestimin e ish-presidentit dhe kryeministrit shumëvjeçar të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

    Mediumi kroat Jutarnji List raportoi se Gjukanoviq mund të arrestohet, duke iu referuar burimeve të mirëinformuara në Podgoricë të afërta me ish-liderin malazez.

    Sipas informacioneve të mediave malazeze, dyshohet se prokuroria ka arritur marrëveshje me Dushko Knezheviqin, i cili dyshohet se pranoi të bashkëpunonte dhe të ishte një “dëshmitar i mbrojtur i penduar”.

    Problemet e shtetit të Kosovës me mafiozin malazez

    Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e kishte hedhur në gjyq kompaninë ‘Rekreaturs’, ku pretendonte se kishin vjedhur pronën e tyre prej 33 mijë metrash katrorë në plazhin e Kamenovës.

    AKP’ja, përveç gjykatave malazeze, kishte ngritur padi edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg.

    Gjatë procesit gjyqësor u pretendua se firma e Knezheviqit në mënyrë të paligjshme ka ndryshuar selinë e saj nga Prishtina në Budvë.

    AKP’ja pretendonte se pasuria e paluajtshme u mor në mënyrë të jashtëligjshme pas luftës së vitit 1999.

    Kompleksi prej gati tre hektar e gjysmë, në të cilin ka qenë vendpushim për qytetarët nga Kosova, siç është shkruar në regjistrat kadastralë të Administratës së Patundshmërive është pronë e Malit të Zi dhe se bashkëpërdoruesi është regjistruar në Rekreaturs.

    Sipas Regjistrit Qendror, themeluesit e Rekreaturs janë Atlas Bank e biznesmenit Dushko Knezheviq me 99.7 për qind të kapitalit dhe pjesa e mbetur është në pronësi të Atlas Hotels Group.

    Historia e Kamenovës filloi në vitin 1957, kur Bordi i Qarkut të Cetinjes shpronësoi tokën nga vendasit. Në fund të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar u ndërtua një resort për nevojat e punëtorëve nga Kosova dhe në vitin 1989 “Rekreaturs” u regjistrua në 12 mijë metra katrorë shtesë, gjithsej 33.000 metra katrorë.

    Drama filloi pas luftës në Kosovë, kur në vitin 1999, kosovarët u shpërngulën në resortin e rrënuar të punëtorëve.

    Disa punonjës të “Rekreaturs” nga Prishtina e zhvendosën selinë e kompanisë në Budva dhe regjistruan një kompleks atraktiv në atë kompani, e cila më vonë u privatizua.

    Pas dramave dhe tentativave për t’i dëbuar me forcë, kosovarët pranuan të largoheshin nga kazermat, me kompensimin që u pajtuan me “Rekreaturët” e Budvës.

    Gjykata Themelore e Kotorrit para 15 vitesh kishte marrë masën e përkohshme me të cilën ndalohet tjetërsimi dhe posedimi i tokës.

    Sidoqoftë, para tre vitesh e gjysmë, “Atlas Group” promovoi projektin e resortit luksoz turistik “Kamenova”, i cili përfshinte ndërtimin e dy hoteleve dhe 14 vilave me gjithsej 300 shtretër.

    Kompania e Knezheviqit pas njoftoi se synon të investojë 88 milionë euro.

    Dokumenti planor Studimi Shtetëror i lokacionit “Pjesa e Sektorit 46- Kamenovë” për atë zonë është miratuar në korrik 2014, në bazë të të cilit në të njëjtin vit Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit nxori kushtet urbanistike dhe teknike për përgatitjen e dokumentacionit teknik për ndërtimin e vendbanimit turistik në Kamenovë.

    Projekti nuk filloi kurrë. /insajderi/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!