×
  • Lajme
  • Rajon

    Ky do të jetë kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, mandatohet nga presidenti për formim të qeverisë

    Reporteri
    29 Dhjetor 2021 | 15:17

    Në një ceremoni të veçantë në vilën “Vodno”, kreu i shtetit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot ia dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevskit, me të cilin filloi afati 20 ditor për formimin e qeverisë së re.

    Kryeministri i mandatuar njoftoi se ekonomia do të jetë fokusi kryesor i qeverisë së re dhe se vendi ka nevojë për “njerëz të qëndrueshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm që do të marrin përgjegjësinë”.

    Pendarovski tha se Kovaçevskit ia jep mandatin në bazë të nenit 84, paragrafit 1, pika një e Kushtetutës dhe njoftimit për propozimin për kryeministër të dorëzuar nga LSDM-ja, të mbështetur nga partitë politike në koalicion që së bashku kanë shumicën e përcaktuar.

    Në një fjalim të shkurtër, Kovaçevski theksoi se mandati që i është dhënë ishte nder dhe përgjegjësi dhe se sot fillon me formimin e ekipit të ri të njerëzve “të cilët duhet t’u përgjigjen sfidave serioze që na presin nga fillimi i vitit të ardhshëm”.

    Sipas tij, shteti dhe shoqëria po përballen me probleme të kahmotshme dhe për këtë kemi nevojë për “njerëz të qëndrueshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm, të cilët do të marrin përgjegjësinë, do të përballen dhe do t’i kalojnë të gjitha pengesat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj qytetarëve”.

    Kovaçevski merr mandatin për formim të qeverisë së re e cila është vazhdimësi e mandatit që po e udhëhiqte ish kryeministri Zoran Zaev, i cili dha dorëheqje nga kreu i ekzekutivit dhe partisë, pasi LSDM humbi zgjedhjet lokale në vend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!