×
  • Lajme
  • Rajon

    Mijëra njerëz protestojnë në Podgoricë kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi

    Reporteri
    30 Tetor 2023 | 22:27

    Disa mijëra qytetarë të veshur me simbole kombëtare dhe shtetërore malazeze kanë protestuar të hënën vonë kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiqin.

    Mandiqi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Malit të Zi të hënën gjatë ditës duke marrë mbështetjen e 49 prej 81 deputetëve.

    Në protestën e mbajtur para ndërtesës së Kuvendit në Podgoricë, morën pjesë edhe një pjesë e partive opozitare dhe Forumit të Qytetarëve të Lirë “Luça”, duke kërkuar të Mandiqi të mos pranohet si kryetar i Kuvendit malazez.

    Mandiq zgjidhet kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi

    Për më tepër, ata i kërkuan kryeministrit të ardhshëm të Malit të Zi, Milojko Spajiq, që ta shtyjë regjistrimin e popullsisë të planifikuar për 1 nëntor.

    Protestuesit brohoritën “Jo Qeverisë së çetnikëve”, “Vdekje fashizmit” si dhe “Mandiq, largohu”.

    “Ne jemi para shtëpisë, e cila simbolikisht, moralisht dhe politikisht bëhet gërmadhë me zgjedhjet e sotme”, tha Pegja Vushuroviq nga Organizata “Luça”.

    Me zgjedhjen në krye të Kuvendit, Mandiqi u bë edhe anëtar i organit më të lartë shtetëror për siguri dhe mbrojtje.

    Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

    Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

    Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

    Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

    Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore.

    Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007. /REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!