Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë dhe Herzegovinë, Milorad Dodik, i ka reaguar presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milanoviq, pas deklaratave që ky i fundit lëshoi për Srebrenicën.
Në reagimin e tij, Dodik tha se Milanoviq ka zgjedhur ta lajkatojë Sarajevën dhe t’i fyejë serbët në Republikën Serbe duke injoruar vuajtjet e tyre, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Presidenti i ri i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq e gjykon Srebrenicën sikurse paraardhësit e tij. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, pa përmendur vuajtjet e serbëve në dhe përreth Srebrenicës si dhe rezistencën e serbëve për të mos pranuar krimet që s’i kanë kryer, tregon se Milatoviq zgjodhi ta lajkatojë Sarajevën pa hezituar dhe t’i fyej serbët dhe Republikën Srpska. Është turp, mendoja që politika anti-serbe në Mal të Zi ishte mposhtur”, ka deklaruar Dodik, transmeton Express.
Pa votat e serbëve, Dodik tha se Milanoviqi nuk do të mund të zgjedhej president.
“Mendoj se Milatoviq është një zgjidhje më pak e keqe se Gjukanoviq, por ai është më pak i vështirë për t’u rrëzuar se Gjukanoviq”, ka thënë Dodik.
Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq ka thënë se ai beson që në Bosnjë dhe Hercegovinë është kryer gjenocid nga ana e Serbisë.
Ai ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka qenë shumë e qartë kur ka vendosur për krimet që kanë ndodhur në Srebrenicë.
“Është shumë me rëndësi që Gjykata Ndërkombëtare disi e ka individualizuar gjenocidin në Srebrenicë. Në këtë kuptim, qëndrimi im është shumë i qartë si dhe Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar tashmë një rezolutë për këtë çështje”, ka deklaruar Milatoviq. /Reporteri.net/.