Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë një kërkesë Bashkimit Evropian për t’i përfshirë vendet e rajonit në politikat e saj tregtare dhe tatimore.
Liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar veçanërisht fonde për bujqësinë, duke e konsideruar “një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zgjeruar dhe për t’i ofruar prodhime me cilësi të lartë tregut të BE-së”.
Në deklaratën e përbashkët në përfundim të takimit të mbajtur në Beograd, liderët gjithashtu kanë bërë thirrje që të shikohet mundësia për t’u përfshirë në zonën Schegen dhe integrim në tregun e përbashkët të BE hap pas hapi.
Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar në Beograd nga Rama, Vuçiq dhe zv.kryeministri i RMV shprehet zhgënjim për ngecjen e procesit të integrimit.
“Kapaciteti i diskutueshëm i BE-së për të integruar anëtarë të rinj, debatet e brendshme midis vendeve anëtare të BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë penguar përparimin real të rajonit drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.