×
  • Lajme
  • Rajon

    Petkoviq: I dorëzova Sorensenit listën me “50 veprime eskaluese” të Kosovës, pres shpejt ftesë për takim trilateral

    Reporteri
    03 Qershor 2025 | 16:34

    Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, është deklaruar pas takimit që pati sot në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Petkoviq tha se Sorensenit ia ka dorëzuar një “liste prej 50 lëvizjesh konkrete eskaluese që Prishtina ka bërë në tre muajt e fundit”.

    “Ne theksuam nivelin e persekutimit që po bëhet në Kosovë nga institucionet e Prishtinës, Policia e Kosovës ndaj popullit serb në Kosovë. E ngritëm edhe çështjen e MTS dhe Elektroseverit”, tha Petkoviq.

    Petkoviq edhe sot u ankua për temat e ngritura nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili me Sorensenin tha se ka folur edhe për çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

    “Asociacioni është çështja kyçe e dialogut, është e papranueshme që Prishtina të imponojë temën e Preshevës”, tha ai, siç shkruan mediumi publik serb.

    “Dje mundëm të dëgjojmë Bislimin duke hapur disa tema të ashtuquajtura rreth çështjes së Preshevës dhe Bujanocit. Këto nuk janë tema të dialogut, dihet mirë se cila është tema e dialogut – çështja e Kosovës, pozita e popullit serb, formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo që mund të bëjmë për të arritur zgjidhje kompromisi që do të sjellin paqe dhe stabilitet në Kosovë, gjë që është e nevojshme si për popullin serb ashtu edhe për atë shqiptar”, tha Petkoviq në një deklaratë për media pas takimit me Sorensenin.

    Ai tha se çështjet e Bujanocit dhe Preshevës janë çështje që kanë të bëjnë me Serbinë, ligjet serbe dhe Kushtetutën e Serbisë dhe “për to nuk mund të flitet absolutisht në dialog, pa marrë parasysh se Besnik Bislimi dhe Albin Kurti po mundohen ta shtyjnë dhe ta paraqesin në mënyrën e tyre”.

    Petkoviq edhe para Sorensenit ka propaganduar mbi “dhunën ndaj popullit serb në Kosov dhe për terrorin e madh të Albin Kurtit ndaj popullit serb”.

    Ai shtoi se është biseduar edhe “për faktin se oficerit ndërlidhës në Prishtinë, Dejan Paviqeviqit, gjashtë herë i është ndaluar të vizitojë të burgosurit serbë në mbarë Kosovën”.

    Petkoviq tha se kanë biseduar edhe për çështjen e personave të pagjetur, për të cilën pretendoi se “është e rëndësishme për Serbinë”.

    “Çështja që ne e kemi theksuar gjatë gjithë kohës është kërkimi i të gjithë të zhdukurve. Ka progres në atë drejtim dhe shpresojmë që shumë shpejt do të takohet grupi punues, pastaj komisioni i përbashkët dhe shpresojmë se do të kemi sukses ta zhbllokojmë të gjithë procesin, sepse Beogradi ka insistuar gjatë gjithë kohës për këtë”, ka theksuar Petkoviq.

    Në veçanti, siç tha Petkoviq, ka insistuar “që të ndalet terrori dhe persekutimi i përfaqësuesve politikë të popullit serb në Kosovë dhe përfaqësuesve të Listës Serbe”.

    “Kërkojmë që BE të reagojë, Sorensen është i informuar për gjithçka”

    Ai shtoi se “takimi i sotëm ishte një përgatitje për bisedimet e shumta që na presin, pres një ftesë të shpejtë për takim trepalësh”./Express/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!