×
  • Lajme
  • Rajon / LAJMI I FUNDIT

    Policia e Republikës Serbe nuk lejoi Policinë shtetërore të Bosnjës ta arrestojë Dodikun

    Reporteri
    23 Prill 2025 | 21:19

    Ministria e Punëve të Brendshme e entitetit të Republikës Sërpska (MUP RS) ka penguar anëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të hyjnë në ndërtesën e Qendrës Administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska në Sarajevën Lindore, ku po zhvillohet një takim mes Millorad Dodik, dhe përfaqësuesve të Qytetit të Sarajevës Lindore.

    Lajmin për pengimin e hyrjes në ndërtesën ku po qëndronte presidenti i Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga vetë SIPA.

    Kjo agjenci deklaroi se anëtarët e saj po vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe se nuk është përdorur forcë.

    Dodik, kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq dhe kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishoviq, janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues. Për ta është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë që nga mesi i marsit, pasi nuk janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për t’u marrë në pyetje.

    Më herët, Gjykata e Bosnjës i kishte kërkuar INTERPOL-it që të rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e një njoftimi të kuq ndaj përfaqësuesve të udhëheqjes së Republikës Sërpska.

    INTERPOL nuk ka lëshuar një njoftim të kuq ndërkombëtar për Dodikun, Stevandiqin, pasi Gjykata e Bosnjës i ishte drejtuar me kërkesë më 27 mars.

    Prokuroria e Bosnjës më herët kishte kërkuar lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar, duke theksuar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në RS, kanë shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnje e Hercegovinës”.

    Të dy zyrtarët janë larguar dhe janë kthyer në Bosnje dhe Hercegovinë disa herë që nga lëshimi i urdhrit qendror për arrestimin e tyre.

    Pas një vendimi të shkallës së parë në fund të shkurtit, me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg dhe iu ndalua angazhimi në politikë për një periudhë prej gjashtë vjetësh, autoritetet në Republikën Sërpska miratuan një sërë ligjesh që ndalojnë funksionimin e organeve shtetërore gjyqësore dhe hetimore të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!