×
  • Lajme
  • Rajon / Sulmi terrorist në Banjskë

    Rama e Plenkoviq nga Zagrebi u kërkojnë ndërkombëtarëve që reagimet të jenë më të forta: BE do të bëjë propozime për masa ndaj Serbisë

    Reporteri
    02 Tetor 2023 | 16:08

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar të papranueshme shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre terroristët e vrarë në veri të Kosovës.

    Sipas tij, është e papranueshme që të shpallet zi kombëtare për terroristët serbë, ndërsa shtoi se ky akt i shteti serb duhet dënuar.

    Këto komente, kryeministri shqiptar i bëri gjatë një konference për media në Zagreb, ku u takua me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq.

    “Nuk është e pranueshme që në mes të Europës e në mes të një rajoni ku gjithë vendet kanë shprehur vullnetin që të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi policie dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin nga ku e ka origjinën. Kjo është kulmi, e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e dënueshme”, u shpreh Rama.

    Plenkoviq kërkoi reagim të qartë të komunitetit ndërkombëtar dhe që Serbisë t’i dërgohen mesazhe të qarta.

    “Reagimi i komunitetit ndërkombëtar, reagimet e tyre duhet të jenë të qarta dhe të forta, dhe duhet t’i përkrahin institucionet e Kosovës, para se gjithash, pasi bëhet fjalë për territor të Kosovës, dhe nga ana tjetër duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çfarëdolloj eskalimi të gjendjes. Dhe natyrisht sa i përket kësaj kemi dëgjuar mesazhe të qarta Serbisë dhe kanë kërkuar që të tërhiqen menjëherë forcat e drejtuara drejt kufirit të Kosovës”, tha Plenkoviq.

    Lidhur me sanaksionet e mundshme kundër Serbisë, Plenkoviq tha se “nga ajo çfarë ne dimë, bëhet fjalë për masa që Komisioni Europian mund t’i ndërmarrë edhe pa vendet anëtare të Bashkimit europian”.

    Ai deklaroi se do të vijojë një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi do të bëjë propozime për masa.

    Qeveria serbe shpalli datën 27 shtator, ditë zie kombëtare për vrasjen e katër terroristëve, të cilët sulmuan me armë policinë e Kosovës.

    Vendimi u mor nga qeveria e Republikës së Serbisë gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të martën, 2 ditë pas ngjarjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!