×
  • Lajme
  • Rajon

    Rrëzohet një helikopter i ushtrisë së Bosnjës, ekuipazhi shpëton

    Reporteri
    28 Gusht 2024 | 12:48
    Foto ilustruese

    Një helikopter i Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës u rrëzua të mërkurën në zonën e liqenit Jabllanica, në jug të Bosnje dhe Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit Hercegovinë-Neretva.

    “Në helikopter ishin katër anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve fillestare, tre prej tyre nuk janë lënduar, ndërsa njëri ka kërkuar ndihmë mjekësore”, tha zëdhënësi Ludevit Mariq.

    Sipas tij, shkaku i aksidentit nuk dihet ende, ndërsa hetimet në lidhje me të, do të rezultojnë me më shumë detaje.

    Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës kanë në dispozicion më shumë se 40 helikopterë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Midis tyre janë 35 helikopterë Mi-8, që janë prodhuar më shumë se 40 vjet më parë në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik.

    Më herët është paralajmëruar se ata do të hiqen nga përdorimi, për shkak të vjetërisë dhe pamundësisë për t’i mirëmbajtur.

    Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Bosnje dhe Hercegovinës katër helikopterë të rinj Bell, me vlerë rreth 35 milionë euro.

    Njëri prej tyre u rrëzua dhe u dëmtua në prill të vitit 2022, gjatë një stërvitjeje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!