×
  • Lajme
  • Rajon

    Serbia po i fshin shqiptarët e Luginës nga listat, reagon raportuesja e BE-së

    Reporteri
    03 Prill 2022 | 19:12

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon ka reaguar pas raportimeve se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi, duke kërkuar që raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e PE-së.

    Von Cramon u përgjigj kështu ndaj ankesës së Teuta Fazliut, e cila ka bërë të ditur në Twitter se nuk ka mund të votojë pasi është fshirë nga lista e votuesve ndonëse është nga Bujanovci.

    “Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, ka shkruar Von Cramon.

    Para dy vjetësh, Teuta Fazliu nga Divizioni për Avancimin e të Drejtave të Njeriut në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, u njoftua nga autoritetet komunale të Bujanocit se emri i saj është hequr nga lista e vendqëndrimit ku kishte qenë e regjistruar.

    “Shteti i Serbisë më fshin nga lista e votuesve vetëm pse jam shqiptare e Bujanocit. Kush do të më mbrojë? BE, Kosova apo Shqipëria”, ka shkruar ajo në Twitter.

    Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc thonë se është rritur dukuria e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, gjë e cila po e ndryshon strukturën etnike të këtyre komunave.

    Sipas vlerësimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë mbi 3.000 adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2.000 në Preshevë e Bujanoc.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!