Me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, tre efektivë të Policisë Ushtarake janë dërguar në misionin e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhgimit në Sinai të Egjiptit.
Përmes një njoftimi zyrtar nga kjo ministri, thuhet se Policia Ushtarake e Shqipërisë ka kapacitet mjaftueshëm për t’iu ndihmur edhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Siguria ndërkombëtare është një element i rëndësishëm në misionin ushtarak të Shqipërisë. Policia Ushtarake i ka kapacitetet për t’u ardhur në ndihmë edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilëve u gjendemi në krah me trupat dhe njerëzit tanë të specializuar. Një mision i rëndësishëm që përfshin tre efektivë të Policisë Ushtarake, të cilët do të kontribuojnë me eksperiencën e tyre për 12 muaj për të përmbushur me përkushtim detyrat në kuadër të MFO. Ju urojmë efektivëve tanë ta përmbushin me sukses këtë mision fisnik dhe shpresojmë për kthimin e sigurt të tyre në atdhe!”, thuhet në njoftimin e tyre të plotë.
Po ashtu, thuhet se në këtë kuadër, pas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, u përcoll kontingjenti i dytë i Policisë Ushtarake në misionin e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhgimit (MFO) në Sinai, Egjipt.
/Reporteri.net/.