Partitë opozitare në Serbi i kanë dërguar sot një letër Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Në këtë letër ata shprehin shqetësimin e thellë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të ngjarjes në fshatin Banjskë.
Ndërsa duke e bërë përgjegjës për situatën e krijuar, ata kërkojnë të vendoset çdo masë e mundshme ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, dhe siç thonë jo ndaj shtetit serb.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimet për mundësinë e vendosjes së masave kundër Serbisë. Duam të theksojmë se ne, si opozitë demokratike në Serbi, jemi thellësisht kundër kësaj. Përgjegjësia politike dhe personale e Aleksandër Vuçiçit për situatën aktuale është e dukshme. Prandaj, ndaj tij dhe ndaj aleatëve të tij më të afërt politikë duhet të vendoset çdo masë e mundshme.”, thuhet në letrën e tyre siç raporton Danas.