Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Serbisë foli sot për çështjen e Kosovës dhe propozimin franko-gjerman.
Në këtë seancë ndodhej edhe, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për të cilin në Kosovë ka një urdhër-arrest për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si Brezovica, dhe po ashtu emri i tij ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ai është parë duke ndjekur seancën nga ballkoni i sallës ku ajo po mbahej nën shoqërinë Goran Rakiqit, kryetar i Listës Serbe dhe Igor Simiqit, zyrtar i asaj partie, shkruan Reporteri.net.
Çka tha Vuçiq në seancë?
Vuçiq tha se 90 për qind e asaj që u bë publike në lidhje me planin franko-gjerman ishte e vërtetë.
Ai ka thënë se pika shumë më e rrezikshme për Serbinë është neni katër, paragrafi dy, ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Është e imja të mbroj të ardhmen e këtij vendi dhe unë do ta bëj këtë, dhe ju që flisni për kapitalizëm, nëse bëhet fjalë për “Kosovën në OKB apo jo”, ndryshe nga ju, për mua si president i Serbisë, Kushtetuta është e shenjtë, kapitullimi dhe dorëzimi nuk është opsion. Mes qëndrimit në pushtet për një mandat që nuk mund ta shkurtoni, unë e di se çfarë duhet të bëj – nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë, Vuçiqi është në anën e Serbisë. .” përfundoi presidenti
Siç theksoi ai, plani propozon disa zgjidhje të mira, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me çështje ekonomike dhe shkencore dhe që rregullojnë statusin e diplomave.
Ai po ashtu tha se është rënë dakord që të vazhdohet me atë që është obligim nga Marrëveshja e Brukselit, që është Asociacioni.
“Siç e shihni shqiptarët nuk duan ta zbatojnë. Nuk mund të jetë modeli i një OJQ-je. Duhet të jetë ajo që është nënshkruar në Bruksel. Jam i shqetësuar se do të përpiqen të rinegociojnë për të mos reduktuar juridiksionin e Asociacionit, dhe kjo do të jetë shkaku dhe arsyeja e problemeve të reja”, tha Vuçiq.