×
  • Lajme
  • Rajon / Anëtarësimi në BE

    Transparency International shpreh shqetësim për marrëveshjen mes Malit të Zi dhe Emirateve

    Reporteri
    28 Maj 2025 | 16:30

    Organizata ndërkombëtare Transparency International ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me marrëveshjen mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që ka të bëjë me bashkëpunim në fushën e turizmit dhe investimit në sektorin e patundshmërisë.

    “Nenet e kësaj marrëveshjeje shkaktojnë probleme serioze që mund të rrezikojnë procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, veçmas lidhur me kapitullin e prokurimit publik”, tha dega evropiane e Transparency International përmes një deklarate.

    Qeveria e Malit të Zi planifikon që t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit të ardhshëm dhe të anëtarësohet në BE më 2028. Aktualisht, më pak se 20 për qind e kapitujve janë mbyllur.

    Qeveria në Podgoricë pret që të mbyllë disa kapituj deri në fund të qershorit, përfshirë atë të prokurimit publik.

    Paralajmërimi i Transparency International vjen një ditë para seancës së Parlamentit në Mal të Zi, ku deputetët pritet që edhe një herë të vendosin për marrëveshjen mes dy shteteve.

    Transparency International u bëri thirrje deputetëve që të rishqyrtojnë tekstin e marrëveshjesh dhe të sigurohen që të gjitha obligimet ndërkombëtare “janë të harmonizuara me kornizën kushtetuese të Malit të Zi dhe të mos rrezikojnë obligimet e shtetit karshi BE-së”.

    Në fund të prillit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ktheu për rishqyrtim në Parlament marrëveshjen, duke argumentuar se ajo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit.

    Marrëveshja, që parasheh investimin e dhjetëra miliarda eurove në Mal të Zi, u nënshkrua në fund të marsit nga kryeministri Millojko Spajiq dhe zyrtarët e Emirateve.

    Marrëveshja parashikon që investitorët nga shteti i Lindjes së Mesme nuk janë subjekt i ligjeve të Malit të Zi sa i përket prokurimit publik, tenderëve dhe mbrojtjes së konkurrencës.

    Transparency International theksoi se prokurimi publik është një fushë jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj korrupsionit.

    “Mungesa e transparencës dhe e mekanizmave kundër korrupsionit në marrëveshje e rrisin këtë rrezik. Duke lejuar përjashtime nga procedurat standarde të prokurimit, marrëveshja krijon mundësi për favorizime dhe keqpërdorim të fondeve publike”.

    Kjo organizatë i bëri thirrje Qeverisë që të rishikojë tekstin e marrëveshjes dhe ta përshtatë atë me standardet sa i përket transparencës, kundërkorrupsionit dhe mbrojtjes së konkurrencës.

    Organizata po ashtu tha se duhet të mbahen konsultime publike për këtë çështje dhe i bëri thirrje Komisionit Evropian që të monitorojë nga afër zbatimin e marrëveshjes finale dhe ndikimit që ajo do të ketë dhe të sigurohet që të mos rrezikojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!