Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se “qëllimisht po e vonon takimin me të në Bruksel”.
“Më ofruan një datë për të shkuar në Bruksel, por jo. Kurti ka punë më të mençura, pasi po blen kohë për të kryer kërcënimet e tij dhe për këtë jam i sigurt. Pas disa muajsh dikush do të përpiqet të flasë, dhe në ndërkohë, sa serbë janë të arrestuar, plagosur, sa ilaçe kanë mbetur në spitalet serbe dhe çfarë masash të reja janë marrë, nga ligje për shpronësimin dhe zbatimin e shpronësimit”, ka thënë Vuçiq, raporton “RTS”.
I pyetur nga gazetarët se çfarë mund të presë nga takimi i të mërkurës me kongresmenin amerikan Michael Turner dhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Vuçiq tha se këto “nuk janë bisedime të lehta në kushtet kur e gjithë bota po merret me luftën në Ukrainë”.
“Ka shumë njerëz në vendin tonë që në çdo mënyrë do të dëshironin që Serbia të mos udhëheqë politikën e saj dhe gëzohen me faktin që Serbia të mos udhëheqë me politikën e saj. Thjesht, mendoj se në fund të fundit ne duhet të vazhdojmë të marrim vetë vendimet, të dimë se çfarë po bëjmë në rrugën evropiane, por ta mbrojmë vendin tonë”, ka thënë Vuçiq.