Kongresisti amerikan Joe Wilson ka ngritur shqetësime kërcënimin rus dhe rritje të pranisë së Kinës në Evropë, duke e lidhur pushtetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me futjen e teknologjisë kineze në kontinent.
Wilson i bëri këto deklarata pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova, në New York. Takimi u zhvillua në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kongresisti republikan tha se me kryediplomaten e Bullgarisë, shtet anëtar i NATO-s, diskutoi për sigurinë energjetike dhe kërcënimin që, sipas tij, paraqet Rusia.
Në fokus të diskutimit ishte edhe prania në rritje e Partisë Komuniste Kineze dhe teknologjisë kineze në Evropë.
“Diskutuam për sigurinë energjetike, kërcënimin rus dhe praninë e dëmshme, por gjithnjë në rritje, të Partisë Komuniste Kineze dhe teknologjisë së saj kundër lirisë, të sjellë në Evropë nga regjimi i Vuçiqit”, shkroi Wilson në platformën X.
Wilson edhe ditë më parë kishte kritikuar Beogradin për raportet me Rusinë dhe Kinën.
Më 15 shtator, ai deklaroi se kompania më e madhe e naftës dhe gazit në Serbi është në pronësi ruse. Ai gjithashtu tha se Serbia nën Vuçiqin ka blerë dhe integruar teknologji ushtarake dhe të mbikëqyrjes nga Kina.