Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar akuzat e asamblistit të VV-së, Arianit Beqiri, i cili tha se është arrestuar për shkak se ka refuzuar ta paguajë biletën për hyrje në një hapësirë publike.
Rama, ka thënë se e hyrja në “Fan Zone Prishtina”, është pa pagesë. Sipas tij, ky veprim ka qenë sulm ndaj institucioneve publike e ndaj atij.
“Për të mundësuar përjetimin e lojërave të Kampionatit Evropian në Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi dhe në interes të qytetarëve të kryeqytetit ka dhënë miratimin që kjo të bëhet në Fan Zone në sheshin “Xhorxh Bush”. Konfirmojmë se hyrja në Fan Zone ka qenë falas, sipas deklaratave zyrtare të organizatorit.
Akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik, me synimin e qartë për të dëmtuar imazhin e strukturave përgjegjëse dhe gjithë institucionin publik, përfshirë mua. Prandaj, apelojmë për një trajtim të përgjegjshëm të informacionit dhe kultivimin e një mjedisi të shëndoshë komunikimi, të bazuar në fakte dhe transparencë. Dezinformimi nuk është në interes të qytetarëve”, ka shkruar Rama.
Beqiri, i cili është edhe asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, u arrestua mbrëmë në qendër të qytetit.
Ai u shoqërua në Polici për prishje të rendit dhe qetësisë publike, por edhe për moszbatim të urdhërave të Policisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se përveç Beqirit në Polici është shoqëruar edhe një person tjetër, për të njëjtat arsyeje.
“Dy persona janë shoqëruar në stacionin policor, për moszbatim të urdhrave policor dhe dyshimit për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Borovci për Reporteri.net.