×
  • Lajme
  • Lajme / Sulmi terrorist në Banjskë

    Rama tha se KFOR duhet ta marrë nën kontroll Veriun, vjen përgjigja e Kurtit

    Reporteri
    28 Shtator 2023 | 20:55

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga media boshnjake “Istraga” lidhur me propozimin e homologut të tij shqiptar Edi Rama se “Veriun e Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFOR”. Siç raporton ky medium, që thotë se biseda e plotë me Kurtin do të publikohet të dielën, Kurti ka deklaruar se kudo në Kosovë, e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.

    Gjithashtu Kurti është shprehur se “kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”, dhe kjo “formulë nuk duhet ndryshuar”.

    “Për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës: “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, ka thënë Kurti për “Istraga”, transmeton Express.

    Kryeministri Edi Rama ka thënë në konferencën e sotme për mediat se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, propozim të cilin tha se e ka bërë më parë në samitin e NATO-s.

    Ai vuri në dukje se e ka paralajmëruar përshkallëzimin e ngjarjeve dhe theksoi se nuk duhet pritur më për të vepruar.

    “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun. Çdo hezitim dhe vonesë dhe me argumentin e orëve të fundit se kemi apo jo trupa mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa dhe vështirësi. Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë e kërkon edhe Kosova KFOR-in në veri”, ka deklaruar Rama.

    Rama: KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës pa vonesë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!